Ish-sulmuesi i Milanit, Oliver Bierhoff, është rikthyer të flasë për periudhën e tij tek kuqezinjtë. Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, gjermani tregon momentet e para kur iu bashkua Milanit si dhe konfirmon se Zlatan Ibrahimovic do të ishte larguar këtë sezon nëse në pankinë do të kishte ardhur Ralf Rangnick.
“Kur shkova për herë të parë në Milanello isha fëmijë. Isha së bashku me babain tim, i cili ishte mik me Kar-Heinz Schnelligner. Klubi vinte nga dy sezone jo të mira dhe përveç meje ata kishin blerë edhe Helveg dhe Zaccheronin.
Menjëherë u ula në një tavolinë me emra si Albertini, Maldini, Boban, Rossi apo Costacurta. Isha shumë krenar për veten time dhe që aty e kuptova mentalitetin e Milanit.
Berlusconi është shumë i sjellshëm. Në atë kohë ai ishte i angazhuar me politikë dhe unë nuk e kam parë shumë, por ne e ndjenim që ai ishte pranë nesh”, deklaron Bierhoff.
“Kur Milani kërkonte të më transferonte mua, kisha marrë dhe një ofertë nga Juventusi. Drejtuesit kuqezinj më pyetën nëse unë kisha nënshkruar me bardhezinjtë, por unë i thashë jo. Ata më dërguan avionin e tyre privat për të më marrë sepse kishte shumë trafik në autostradën e Udine dhe Milanos”.
“Ibrahimovic? Ai do të ishte larguar nëse do të kishte ardhur Rangnick. Suedezi vazhdon të jetë një kampion i jashtëzakonshëm, edhe pse tashmë është 39-vjeç”.
“Titulli i 1999? Jam shumë krenar që kam qenë pjesë e asaj skuadre. Koha kalon, por unë vazhdoj te ndihem i ri. Ai vit është fatsjellës për mua dhe në ekipin kombëtar gjerman kemi Kai Havertz, i cili ka lindur në atë vit”, përfundon gjermani. /abcnews.al