Raporti i UNHCR, rekord emigrantësh: Në 2017 janë zhvendosur 68.5 milionë

schedule12:38 - 19 Qershor, 2018

schedule 12:38 - 19 Qershor, 2018

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët UNCHR ka publikuar një raport ku tregohet se në 2017-ën, 68.5 milionë refugjatë janë detyruar të zhvendosen nga vendbanimet e tyre. Për këtë kanë ndikuar luftërat, dhuna dhe përndjekja.

Në 2017-ën numri i personave të detyruar të zhvendosen në botë për shkak të luftrave, dhunës dhe përndjekjeve ka prekur një rekord të ri për të pestin vit radhazi. Kjo bëhet e ditur nga UNHCR, në raportin vjetor “Global Trends”. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, njofton se deri në fund të 2017-ës 68.5 milionë persona ishin të detyruar të arratiseshin. Në përcaktimin e kësaj situate, lexohet në raportin e UNCHR, ka ndikuar veçanërisht kriza në Republikën Demokratike të Kongos, lufta në Sudanin Jugor dhe Siri si dhe arratisja në Bangladesh të qindra mijëra refugjatëve rohingya me prejardhje nga Mianmari.

Vendet më të goditura janë shtetet në zhvillim e sipër. Në totalin prej 68.5 milionë janë përfshirë edhe 25.4 milionë refugjatë që kanë lënë vendin për shkak të luftës apo përndjekjes, 2.9 milionë më shumë në krahasim me 2016, rritja më e madhe e shënuar në një vit të vetëm. Ndërkohë, kërkesat për azil, të cilat në dhjetor të 2017-ës ishin akoma në pritje të vendimit, u rritën nga rreth 300 mijë në 3.1 milionë. Duke marrë në konsideratë të gjithë kombet në botë, 1 person në 110 është I detyruar të arratiset.

Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët thotë se për shkak të eksodeve të detyruara në nivel global duhet një menaxhim i ri i këtij problemi. “14 vende po eksperimentojnë një plan të ri kundërpërgjigje ndaj krizës së refugjatëve dhe në pak muaj do të jetë gati një metode e re për refugjatët që do të adoptohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!