Emigrantët, administrata kundërshton Melania Trump

schedule22:22 - 18 Qershor, 2018

schedule 22:22 - 18 Qershor, 2018

Presidenti amerikan Donald Trump është kritikuar nga bashkëshortja e tij për politikat ndaj emigracionit klandestin. Melania Trump e ka cilësuar të papranueshme ndarjen e fëmijëve nga prindërit e tyre, por administrata e kreut të shtetit insiston se kush kalon ilegalisht kufirin duhet të arrestohet.

Zonja e parë e Amerikës ka dalë kundër bashkëshortit të saj president në lidhje me politikën ndaj emigrantëve. Melania Trump ka kundërshtuar praktikën e ndjekur nga administrata, që ndan fëmijët emigrantë nga prindërit që mbërrijnë në kufirin SHBA-Meksikë.

“Melania urren të shohë fëmijët e ndarë nga familjet e tyre dhe shpreson që të dyja palët të mund të bashkohen për të arritur reformën e suksesshme të migracionit”, ka deklaruar zëdhënësja e saj, Stephanie Grisham.

Por pak orë më vonë sekretarja amerikane për Sigurinë e Brendshme, Kirstjen Nielsen ka mbrojtur politikat e administratës Trump. Në një deklaratë, Nielsen u ka dhënë përgjigje atyre që sipas saj, do të donin që qeveria të mbyllte sytë përpara emigracionit në kufi dhe jo të zbatojë ligjin e miratuar nga Kongresi.

“Ne nuk kemi luksin të shtiremi sikur të gjithë individët që vijnë në këtë vend si një familje e bashkuar të jenë me të vërtetë një familje. Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe nuk kemi përse kërkojmë falje për këtë”, ka thënë Nielsen.

Zyrtarja e lartë ka theksuar se, mesazhi i administratës Trump është i thjeshtë dhe i qartë: “Nëse kalon kufirin ilegalisht, arrestohesh”.

Por në mbështetje të zonjës së parë, ndonëse në mënyrë indirekte, ka dalë ish-shefi i CIA-s dhe Agjencisë për Sigurinë Kombëtare. Michael Hayden, që ka shërbyer gjatë presidencave të dy partive, i ka krahasuar praktikat e administratës Trump me ato të nazistëve gjermanë gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!