Gjykata Penale e Tiranës ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtorin e OST-së Klodian Gradeci i akuzuar si i përfshirë në një skeme mashtrimi, e cila dyshohet se ka shkaktuar një dëm financiar prej 1.5 milion dollarë. Gazetarja Glidona Daci raporton për abcnews.al se Gradeci akuzohet për “shpërdorim detyre”. Ai ka kërkuar një masë më të butë me pretendimin se është sëmurë, ndërsa ka deklaruar se është vetëdorëzuar pasi ka parë lajmet për shpalljen e tij në kërkim, por kjo nuk është marrë parasysh nga gjykata.
Gradeci u arrestua dy ditë më parë në Rinas kur sapo kthehej nga Turqia ku ishte larguar pak ditë para finalizimit të operacionit ku u arrestuan disa zyrtarë të tjerë për të njëjtën skemë mashtrimi.
Sipas dosjes hetimore të zbardhur nga abcnews.al, kompania “Phoenix Petroleum” ka marrë për shfrytëzim disa puse nafte në pronësi të “Albpetrol” duke premtuar në planin e zhvillimit se do të investonin në to. Marrëveshja është është miratuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN).
Me qëllim plotësimin e detyrimeve për Programin Minimal të Punës apo investimeve të detyrueshme për këto puse nafte) dhe në kushtet kur këto investime nuk i ka kryer, kjo shoqëri ka paraqitur në AKBN tetë fatura të falsifikuara për shërbime që realisht nuk i ka përfituar nga kompania amerikane Black Swan Energy Service. Falsiteti i këtyre faturave është konfirmuar nga autoritetet gjyqësore amerikane dhe vlera totale e tyre është 1.299.000 USD. (lexo këtu dosjen e plotë).
Punonjësit e AKBN të arrestuar pak ditë më parë (Denis Durrsi, Qani Hoxhaj, Rezarta Qose) bashkë me Klodian Gradecin kanë certifikuar në mënyrë të kundërligjshme punimet e pakryera të pasqyruara në këto fatura si punime të kryera. Ndërsa punonjësit e administratës tatimore Arben Doda dhe Simon Arku) kanë përpiluar një raport kontrolli në kundërshtim me ligjin duke bërë të mundur kjo administratë të pësojë një dëm ekonomik prej 568.000 USD.
Në dijeni të plotë për skandalin ka qenë edhe ish-ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, i cili ka marrë një e-mail që në vitin 2016 në lidhje me faturat false të kompanisë “Phoenix Petroleum”, por nuk ka reaguar duke bërë që ngjarja të zbulohet nga prokuroria vetëm disa vite më vonë./mv. abcnews.al