“Presim një përgjigje deri të enjten dhe të premten do të kemi një mbledhje me presidentët për të vendosur nëse do ta vazhdohet me bojkotin apo Superiores do të nisë”, tha Edvin Libohova, presidenti i Ligës Profesioniste të futbollit, ndërkohë që deri më tani kanë marrë një përgjigje nga deputeti Fidel Ylli.
Ky i fundit kërkon që bojkoti të ndalet dhe thekson se kryeministri Edi Rama parimisht është dakord me kërkesat e klubeve të Superiores. Mes te tjerash, në letrën e Yllit thuhet se bojkoti do të ishte pengesë për finalizimin e marrëveshjes.
Tavolina shikohet si rrugëzgjidhja e vetme dhe tashmë u takon klubeve që të marrin një vendim. Dëshira e tyre është që të kenë një përgjigje nga Ministria e Financave, apo nga vetë kryeministri Edi Rama. Sigurisht bëhej fjalë për një komunikim zyrtar.
Deri më tani nuk ka një përgjigje të tillë, por burime pranë klubeve të ndryshme të Superiores bëjnë me dije për abcnews.al se kampionati mund të nisë këtë javë. Gjithsesi duhet pritur një qëndrim i Ligës së Futbollit, që mund të vijë sot, pasi takimit të orës 13:00. /abcnews.al