COVID-19, Meta letër Manastirliut: Duhet një rivlerësim tërësor i situatës

schedule09:18 - 28 Tetor, 2020

schedule 09:18 - 28 Tetor, 2020

Presidenti Ilir Meta në kuadër të situatës së rënduar nga Covid 19 në vendin tonë i ka dërguar letër drejtuar ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi.

Meta përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan se autoritetet përkatëse duhet të jenë më të vëmendshëm ndaj masave anti Covid që duhet të marrin gjatë kësaj periudhe, pasi situata pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë.

Kreu i shtetit në letrën e tij ka rreshtuar disa pyetje, për numrin e testimeve, stafin mjekësor, masat për rimbursimin e shpenzimeve për mjekim apo kontroll të pacientëve, trajtimin e sëmundjes.

Ndër të tjera në letrën e tij Meta thekson se në lidhje me situatën e ktijuar nga pandemia në vendin tonë, duhet të rishikohen me kujdes elementët themelorë të përcaktuara qartë nga OBSH, si testimi, gjurmimi dhe trajtimi, të cilat kërkojnë një intensifikim të jashtëzakonshëm të masave për realizimin e plotë të tyre.

Postimi i plotë:

Nisur nga përkeqësimi i dukshëm i situatës së pandemisë COVID-19, me shtim të numrin të personave të infektuar, e fatkeqësisht me rritje edhe të numrit të qytetarëve të cilën kanë humbur jetën, shtrohet si domosdoshmëri një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues.

Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale e të njëanshme të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë.

Në këto kushte, po bëj publike letrën zyrtare që i kam dërguar ministres së Shëndetësisë, për dijeni Kryeministrit ende në detyrë dhe Kryetarit të Kuvendit. e.su./abcnews.al