Serbia arriti një fitore të merituar në Botëror, duke mundur 1-0 Kosta Rikën. Pas Kroacisë, edhe skuadra e dytë ballkanase u paraqit siç duhet në Rusi.
Gadishulli ynë mbetet i rëndësishëm. Kupa e Botës s’mund të jetë e plotë pa Ballkanin, dhe pas Kroacisë këtë e bëri të qartë edhe Serbia.
Formacioni i trajnerit Krstajiç, kapiteni i së cilit Ivanoviç vendosi rekordin me 104 ndeshje, triumfoi 1-0 ndaj Kosta Rikës, një rezultat që mund e duhej të kishte qenë më i thellë.
Serbët patën më shumë qartësi dhe rrezikshmëri në aksionet e tyre, edhe pse ndeshja mund të duket e barabartë nëse lexon statistikat.
Zotërim thuajse i barabartë i topit, ndryshim i vogël në gjuatjet drejt portës, por rastet e vetme për gol thuajse i krijuan ata me fanela të bardha.
Milinkoviç-Saviç, Mitroviç apo Kostiç patën mundësi të shënonin, por nuk i dolën.
Kjo, më së shumti për meritë të portierit kostarikan, numrit 1 të Realit të Madridit, Kejlor Navas, që ishte ndoshta lojtari më i mirë në fushë për të dyja skuadrat.
Gjithsesi, Serbisë nuk iu mohua ajo që i takonte.
Në minutën e 59-të ishte kapiteni Aleksandar Kolarov që realizoi një gol spektakolar direkt nga goditja e dënimit.
Me këtë sukses, serbët morën tri pikët e para, duke qenë me shpresë për kualifikim në një grup të vështirë, bashkë me Brazilin e Zvicrën. /abcnews.al