Koronavirusi ditën e sotme i mori jetën mjekut Muharrem Xhepexhiu 64-vjeç nga Lushnja. Pavarësisht ndihmës së mjekëve ai ndërroi jetë te spitali Infektiv, i kthyer në Covid për pacientët e infektuar.
Drejtori i spitalit të Lushnjes, Perin Vogli i kontaktuar nga Abcnews.al u shpreh se mjeku ishte përgjegjës i qendrës shëndetësore Hysgjokaj dhe prej disa ditësh ndodhej i shtruar në Tiranë, i intubuar.
“Ka qenë i shtruar në spitalin Covid në Tiranë. Prej disa ditësh ka qenë i intubuar. Nuk ia doli dhe sot në mëngjes ndërroi jetë. Ai ka qenë drejtor i qendrës shëndetësore Hysgjokaj.
Nuk e di si u infektua. Familjar të tij të infektuar nuk ka. Nga momenti që është infektuar nuk kam pasur kontakte sepse u dërgua në Tiranë” tha ai.
Sot u shënua numri rekord, 7 të vdekur si asnjëherë më parë nga koronavirusi në Shqipëri, ndërsa i lartë është edhe numri i infektimeve./ db/Abcnews.al



