E dërguara speciale e OKB-së për Libinë të premten njoftoi se në Libi është nënshkruar armëpushim i përhershëm nga delegacionet e dy palëve të konfliktit.
“Sot është një ditë e mirë për popullin libian,” tha Stephanie Williams, përfaqësuese speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të KB në Libi dhe kreu i Misionit Mbështetës të Kombeve të Bashkuara në Libi (UNSMIL), në një konferencë shtypi të premten.
“Bisedimet e Komisionit të Përbashkët Ushtarak 5+5 në Gjenevë sot kulmuan në një marrëveshje historike pasi ekipet libiane arritën marrëveshje për armëpushim të përhershëm në mbarë Libinë. Kjo marrëveshje është një pikë e rëndësishme e kthimit drejt paqes dhe stabilitetit në Libi”, shkroi në një deklaratë misioni i Kombeve të Bashkuara.
Libia në vitet e fundit është përfshirë nga kriza politike dhe lufta civile, ku gjenerali Khalifa Haftar ka luftuar kundër forcave të qeverisë së njohur nga komuniteti ndërkombëtar. g.v/abcnews.al