Armando Broja është i 29-ti që ka kaluar nga Chelsea te Vitesse. Sulmuesi nga Malësia ka gjithçka për t’u bërë një nga lojtarët më të mirë shqiptarë në qarkullim. I gjatë, nuhatës para portës dhe në 30 metra ka goxha shpejtësi. Dy golat kundër ADO Den Haag, në përballjen e parë si titullar, sigurisht që e kanë lumturuar sulmuesin e kombëtares shqiptare.
“Po argëtohem këtu”, thotë Broja para ndeshjes kundër PSV, ndërkohë që në artikullin e “Gelderlander” nuk lihet pa u vënë theksi te fakti shtatlarti është britanik në gjithçka, duke përmendur theksin e tij kur flet anglisht.
“Në fushën e futbolli Broja është një sulmues i vërtetë. Ai ka qenë golashënues që nga fëmijëria. Me atë famë u bë pjesë e kombëtares shqiptare dhe kjo është kryesisht një zgjedhje sportive. Në Angli ka më shumë sulmues të mirë dhe ai mund të ndërtojë një karrierë të bukur ndërkombëtare në Ballkan”, vijon artikulli.
Nuk mund të mos përmendet fakti që Broja e ka shprehur se Shqipërinë e ka zgjedhur prej origjinës së tij dhe faktit që në vendin tonë ai ka shumë të afërt dhe dëshiron t’i përfaqësojë. Pra nuk është e gjitha për arsye sportive, edhe pse zgjedhja e Shqipërisë është më e logjikshmja.
Në vijim të artikullit thuhet se te Chelsea kanë besim se Broja do të kthehet pas, ndërkohë që një mendim në lidhje me sulmuesin e jep edhe Johannes Spors, drejtori teknik i Vitesse: “Broja është një lojtar shumë i mirë. Ai është transferuar nga të rinjtë në ekipin e parë vjet, madje bëri debutimin në Premier League (më 8 mars zëvendësoi në fund Oliver Giroud kundër Everton). Ai ka potencialin dhe ambicie shumë të madhe për t’u kthyer te Chelsea sërish”.
“Nuk e lamë të na ikte nga duart, e morëm atë. Chelsea në të vërtetë dëshironte që ai të merrte eksperiencë në ekipin U21 edhe një vit tjetër. Duhet të flisja me të gjithë në Londër dhe pastaj me vetë Brojën. Fluturova në Angli dhe shkova në shtëpinë e tij. Fola me nënën e Armandos dhe pastaj me të. Transferimi në Holandë është me të vërtetë një hap i madh për të”, shton drejtori teknik.
Vetë Broja flet pak: “Kam shënuar 30 gola vitin e kaluar, por ai ishte futboll i të rinjve. Tani jetoj vetëm, në një vend tjetër dhe me gjuhë tjetër. Në fushë më duhet të merrem me djem të fortë. Më pëlqejnë golat ë shënuar kundër Den Haag, por ajo ndeshje ka kaluar. PSV po vjen dhe kjo do të jetë një ndeshje e vështirë. Eredevisie nuk është një kampionat i lehtë. Jam shumë i lumtur për besimin e trajnerit”.
Me tre golat e shënuar me fanellën e Vitesse, Broja është shënuesi më i mirë i skuadrës së tij dhe drejtori Spors deklaron: “Shikoni cilësitë e tij. Ai është i gjatë (191 centimetra), është i shpejtë, ka teknike të mrekullueshme dhe gjithashtu ka instikt vrasës para porte. Ai i plotëson të gjithë kërkesat për një sulmues të nivelit të lartë.
Këtë ai mund ta tregojë shumë mirë në Eredivise. Një muaj më parë vështirë se e njihte kush, tani e njohin dhe i drejtohet fushës ndryshe. A mund të shënojë ai çdo javë gola në një nivel të lartë? Ai është i qëndrueshëm? Deri më tani jemi shumë të lumtur, thjesht të vazhdojmë kështu”. /abcnews.al