Një ngjarje e rëndë tronditi Francën pak ditë më parë, pasi një 18-vjeçar i preu kokën me thikë një profesori në komunën veri-perëndimore të Conflans-Sainte-Honorine. Shkak i ngjarjes së rëndë u bë pasi profesori i historisë nxori në klasë disa karikatura të profetit Muhamed teksa jepte mësim.
Këtë ngjarje të rëndë që tronditi opinionin publik e komentoi profesori shqiptar në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki. Në një lidhje me Skype në emisionin Abc-ja e mëngjesit” ai e cilësoi këtë ngjarje një inskenim, duke shtuar më tej se Islami nuk ka nevojë “për një mburojë injorantësh që të pozicionohen si një sit elitar për mbrojtjen e Profetit.”
“Fetë dhe nënsektet brenda tyre e kanë si princip paqen, dashurinë, dinjitetin dhe humanizmin. Me kalimin e shekujve fetë monoteiste janë larguar nga obskurantizmi mesjetar dhe kanë përqafuar botëkuptime më moderne të përputhshme me jetën reale të njerëzve. Si vjen një individ 18-vjeçar deri në pikën sa ta konsiderojë që një profesor që tregon karikaturën e supozuar të profetit, askush nuk e di si duket Profeti realisht dhe nuk ka njeri që e riprodhon imazhin e tij.
Personi nuk ka qenë nxënës aty dhe ka udhëtuar 80 km larg nga shkolla dhe ka qenë i nxitur nga mesazhe si dhe ka patur të bëjë me njerëz xhihadistë. As profeti dhe as Islami nuk kanë nevojë për një mburojë injorantësh që të shkojnë të pozicionohen si një sit elitare për mbrojtjen e Profetit.”, tha profesori.
Ai shtoi se Këshilli francez i kultit mysliman si dhe Xhamia e Madhe në Paris janë distantuar nga ky akt barbar. “Të nesërmen e sulmit kanë shkuar dhjetëra imam francezë përpara shkollës dhe kanë bërë lutje. Lutja e së premtes me urdhër të Xhamisë së Madhe të Parisit do t’i kushtohet profesorit që iu ka prerë koka në emër të islamit nga një injorant që nuk e ka kuptuar Islamin.”, tha ndër të tjera ai. /abcnews.al