Shqipëria duhet të përgatitet shumë për t’u përballur me Greqinë në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë në lidhje me marrëveshjen e detit. Ky ka qenë konkluzioni i opinioneve nga pjesëmarrësit që e morën fjalën në forumin akademik me temë: “Marrëveshja e detit me Greqinë”, të zhvilluar nga universiteti “Aleksandër Moisiu” dhe qendra “Marshall” në Durrës. Paskal Milo, historian dhe studiues i njohur, shprehet se nga mënyra se si erdhën gjërat, vendimi i qeverisë shqiptare për ta dërguar çështjen e detit në gjykatën ndërkombëtare është i drejtë.
“Nuk diskutohet pro dhe kundër kur shkohet në gjykatë, por çështja është që në mungesë të një marrëveshje midis palëve, kër kihet një palë e tretë që kur shtetet janë në mos marrëveshje shkojnë në gjykatë.
Fakti që nuk u arrit marrëveshja do të thotë që zgjidhja më e mirë është gjykata. Mund të kishim një marrëveshje, por mund të ishte në dëm të Shqipërisë. Vajtja në gjykatë është zgjidhje e arsyeshme në rrethanat që ndodhemi” tha ai.
Ermal Jauri nga qendra Marshall shprehet se në kushtet në të cilat gjendemi tani, duhet të bëhen të gjithë gati, ekspertë, teknicienë dhe politikanë, në mënyrë që Shqipëria të jetë e përgatitur për të marrë atë që i takon.
Pedagogu i fakultetit të shkencave politike-juridike Enver Bytyçi shprehet se bisedimet për këtë marrëveshje me Greqinë dështuan, sepse çështja u trajtua shumë keq dhe dërgimi në Hagë ishte i pashmangshëm.
Osman Metalla, Dekan i Fakultetit të Studimeve Profesionale dhe njohës i mirë i cështjeve të detit, shprehet se pala shqiptare gjendet sot në kushte shumë të pafavorshme krahasuar me palën greke.
Diskutimet dhe pyetjet nga paneli zgjatën për afro tre orë ndërkohë që shumë nga të pranishmit, studentë dhe pedagogë, drejtuan pyetje të shumta rreth çështjes shumë të përfolur të detit në 10 vjeçarin e fundit në vendin tonë./ db/Abcnews.al