Shpresat e Ukrainës për mbështetjen ushtarake amerikane

schedule19:01 - 21 Tetor, 2020

schedule 19:01 - 21 Tetor, 2020

Ukrainasit po ndjekin me interes të shtuar ndërsa Presidenti Donald Trump dhe sfiduesi Joe Biden kanë hyrë në ditët përfundimtare të garës presidenciale amerikane. Ukraina ka marrë rëndësi të madhe strategjike për Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate në NATO, që nga fillimi i luftës së Ukrainës me Rusinë në vitin 2014, ndërkohë që akuzat për korrupsion në lidhje me Ukrainën vazhdojnë të errësojnë fushatën elektorale.

Aleanca u vu në pah muajin e kaluar, kur ushtarakë amerikanë morën pjesë në stërvitjen “Fiction Urchin” së bashku me forcat speciale ukrainase në perëndim të Ukrainës. Avionët e Forcave Ajrore amerikane “CV-22 Ospreys” dhe avionë të tjerë fluturuan ulët mbi kryeqytetin ukrainas, Kiev, duke marrë kështu vëmendjen e banorëve.

Ushtrimet e përbashkëta u zhvilluan ndërsa Kremlini organizoi stërvitje përkrah forcave kineze dhe forca të tjera, si pjesë e stërvitjes “Caucasus 2020”, në jug të Rusisë.

Shtetet e Bashkuara kanë forcuar ndjeshëm lidhjet e mbrojtjes me Kievin që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe inkursioni i luftëtarëve rusë në Ukrainën lindore.

“Me konfliktin e vazhdueshëm në lindje, unë mendoj se ne mund të bëjmë atë që po bëjmë tani; është partneriteti me Ukrainën, duke punuar së bashku, duke u treguar atyre si dhe NATO-s dhe aleatëve të tjerë perëndimorë se ne jemi këtu, ne qëndrojmë pranë Ukrainës”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters një major nga Forcat e Operacioneve Speciale amerikane që morën pjesë në stërvitje, duke kërkuar që emri i tij të mos jepej.

Mbështetja e shtuar ushtarake e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën rezonon më shumë me ukrainasit ndërsa ata vëzhgojnë nga larg zgjedhjet amerikane, thotë analisti politik Alexey Arestovich.

“Ajo që është e rëndësishme për ta është që Shtetet e Bashkuara të mos ndalin mbështetjen e tyre ushtarake. Ky është niveli i mirëkuptimit”, tha Arestovich për Zërin e Amerikës në një intervistë të fundit në Kiev.

Në muajt e parë të presidencës së Donald Trump-it në 2017, zoti Arestovich thotë se kishte shqetësime në Ukrainë për afërsinë e marrëdhënies me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

“Sidoqoftë, u bë e qartë se pa marrë parasysh se sa Trump-i e komplimentoi Putinin me fjalë, në të vërtetë, aktiviteti ushtarak (me Shtetet e Bashkuara) është rritur dhe ombrella e sigurisë është rritur në Evropën Lindore dhe Ukrainë, së bashku me mbështetjen ushtarake. Pra, mendimi kolektiv (për Presidentin Trump) ka ndryshuar”, tha zoti Arestovich.

Pretendimet se Presidenti Donald Trump kërcënoi të pezullojë ndihmën ushtarake për Ukrainën nëse Kievi nuk fillonte një hetim ndaj rivalit të tij demokrat, ishin në qendër të hetimeve ndaj presidentit nga Dhoma e Përfaqësuesve në 2019. Ai më vonë u shpall i pafajshëm në Senat.

Ukraina gjendet sërish në qendër të vëmendjes politike mes pretendimeve të reja se, si nënpresident në 2015, Joe Biden mbrojti djalin e tij Hunter Biden – i cili ishte atëherë në bordin e një firme energjetike të Ukrainës – nga një hetim anti-korrupsion duke kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit të Ukrainës.

Familja Biden mohon me forcë pretendimin dhe akuzon republikanët për zhvillimin e një fushate shpifjesh. FBI-ja po heton dezinformimin e mundshëm rus.

Shumica e ukrainasve janë të pakënaqur me përfshirjen e vendit të tyre në fushatën zgjedhore, thotë zoti Arestovich.

“Dëshira kolektive e një ukrainasi të zakonshëm është që ne të mos përzihemi në asnjë politikë amerikane dhe se do të ishim miq me amerikanët ushtarakisht. Ombrella e sigurisë ushtarake – ky është interesi kryesor. Mbrojtja nga Rusia”.

Ukrainasit që folën për Zërin e Amerikës i bënë jehonë kryesisht kësaj pikëpamjeje.

“Ne kemi vendin tonë të pavarur dhe nuk ka kuptim të grindemi ose të zihemi me fqinjët dhe miqtë tanë”, tha Oleksandr Panasovich, një banor i Kievit.

Një tjetër banore, Olena, e cila nuk e dha mbiemrin e saj, tha se ajo ka shumë miq që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. “Unë mendoj se Biden është më i mirë për ukrainasit, por miqtë e mi amerikanë janë më afër Trump-it”, tha ajo për Zërin e Amerikës.

“Të dy na mbështetën, kështu që Ukraina sidoqoftë nuk duhet të humbasë. Unë personalisht mendoj se ne tashmë e kemi provuar Trump-in, kështu që ne shpresojmë për më të mirën me Biden-in”, tha banori i Kievit, Ivan.

Analistët thonë se shpresa më e madhe e ukrainasve është që mbështetja ushtarake amerikane të vazhdojë pas zgjedhjeve, pa marrë parasysh se kush fiton më 3 nëntor./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!