Policia e Lezhës ka arrestuar një 20-vjeçar, i cili u kap në një lokal duke shpërndarë lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit të riut iu gjet edhe një thikë.
Ndërkohë materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Lezhë/Informacion
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla.
Arrestohet në flagrancë 20-vjeçari që posedonte lëndën narkotike.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DPV Lezhë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë operative se një shtetas posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike në doza, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A. R., 20 vjeç, banues në Durrës.
Arrestimi i tij u bë pasi, në një lokal, në qytet Lezhë, gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur 20 doza me lëndë narkotike të dyshuar canabis sativa, gati për shitje dhe një armë të ftohtë (thikë), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.