Mbyllet si masë sigurie kopshti publik nr.3 në Fier, pasi një pjesëtare e stafit ka dalë pozitive me COVID-19.
ISHSH në Fier i ka vënë drynin kopshtit në fjalë duke dërguar në shtëpi fëmijë, edukatore e gjithë personelin ndihmës, pasi një sanitare e tij ka rezultuar pozitive ndaj COVID-19.
Stafi i kopshtit, me drekë, ka njoftuar këtë të martë prindërit që të shkojnë e të marrin fëmijët e tyre, pas daljes së përgjigjes së tamponit të njërës prej sanitareve të kopshtit, e cila ka rezultuar pozitive ndaj virusit.
Lexo edhe: Covid-19 “hyn” në kopshtin e gjimnazet e Pogradecit, 4 edukatore e dy mësues të infektuar
Menjëherë ka nisur hetimi epidemiologjik i rastit në fjalë, duke marrë të gjitha kontaktet e personit të prekur nga covid, ndërsa kjo e fundit është vetëkarantinuar.
Fatmirësisht, deri më tani asnjë fëmijë apo pjesëtar tjetër i stafit nuk ka paraqitur simptoma të Covid, e kjo mbyllje e kopshtit, për një javë, është bërë si masë sigurie.
Ambientet e kopshtit janë dezinfektuar dhe bëhet me dije se ky proces do të kryhet çdo ditë.
/abcnews.al/