Danjel Pepaj hetohej në Malin e Zi për trafik droge, policia po negocion për vetëdorëzim

schedule16:04 - 19 Tetor, 2020

schedule 16:04 - 19 Tetor, 2020

Danjel Pepaj, i shpallur në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes së dyfishtë, të Vilson Çutaj dhe Kement Pepaj,  ka qenë në hetim edhe në Malin e Zi si i dyshuar për trafik droge.

Ky fakt u është bërë i ditur autoriteteve tona në përgjigjen e letërporosisë së dërguar në vendin fqinj, për informacion mbi 25 vjeçarin që mendohet se fshihet në Malin e Zi.

Burime nga grupi hetimor sqaruan për ABC News, se në përgjigjen e mbërritur një javë më parë, autoritetet malazeze informuan se Danjel Pepaj ka qenë nën hetim prej tyre, si i dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të lëndës narkotike, por asnjëherë nuk ishte ndaluar apo proceduar për këto vepra penale.

Prej më shumë se një jave, blutë e Shkodrës janë në negociata me familjarë e shokë të Pepajt që të vetëdorëzohet.

Sipas hetuesve, 25 vjeçari Pepaj e njeh më së miri zonën ku qëndron i fshehur, pasi për disa vite ai ka punuar në ndërtim në vendin fqinj.

Nën vëzhgim janë mbajtur edhe disa persona të tjerë po në Mal të Zi, me të cilët Pepaj ka pasur kontakte të mëparshme. Ata dyshohen se ndihmojnë 25 vjeçarin me veshje e ushqim.

Pas vrasjes te dy të rinjve Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj, të në një zonë të pyllëzuar të Reçit, në ditët e para të tetorit, autori i dyshuar Danjel Pepaj është larguar përmes maleve në drejtim të Malit të Zi.

Pikërisht në këtë zonë, policia gjeti edhe trupat e pajetë të dy të rinjve.

Ndërsa rreth 250 metra larg ndodheshin dy parcela, në njërën prej të cilave ishin mbjellë 29 bimë kanabisi deri në 1.5 metra dhe në tjetrën u konstatuan vetëm gropa të hapura.

Në vendngjarje u gjetën edhe dy kasolle të përshtatura për tharjen e kanabisit.

Këtyre dy ambienteve u ishte vënë flaka, veprim që Danjel Pepaj dyshohet ta ketë kryer për të fshehur gjurmët.

Sherri mes tre të rinjve kishte nisur për shkak të vjedhjes së një sasie kanabisi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!