Italia shtrëngon masat anti-Covid, frikë nga rritja e beftë e rasteve

schedule09:15 - 19 Tetor, 2020

schedule 09:15 - 19 Tetor, 2020

Italia ka shtrënguar masat kufizuese në përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, pas rritjes së rasteve në dy ditët e fundit.

Kryeministri Giuseppe Conte ka thënë se masat janë marrë për të “shmangur një mbyllje totale”.

Kryetarët e bashkive do të vendosin të mbyllin ose jo hapësirat publike pas orës 21:00 , gjithashtu u është dhënë kompetenca të vendosin për orarin e hapjes së restoranteve.

Conte tha se “nuk mund të humbasim kohë, duhet të vendosim masa për të shmangur një izolim total, i cili do ta dëmtonte ekonominë”.

“Qeveria është këtu, por të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre”, ka thënë ai.

Ai  ka shtuar se masat më efektive që mbeten në fuqi janë maska, distanca sociale dhe higjiena.

Ndër masat e reja janë edhe: ndryshimi i mësimit në shkolla, që sipas njoftimit do të zhvillohet mësimi edhe në distancë, restorantet dhe kafenetë do të mbyllen në mesnatë, por pas orës 18:00 vetëm shërbimi në tavolinë do të lejohet dhe numri i lejuar do të jetë gjashtë persona.

Konferencat dhe festivalet janë pezulluar ndërse pishinat dhe palestrat mund të mbyllen nëse nuk zbatohen protokollet e duhura.

Megjithatë Ministri i Sportit Vincenzo Spadafora tha në fillim të kësaj jave se “sektori është përballur me shpenzime të mëdha për të përshtatur hapësirat me protokollet e sigurisë dhe nuk ka asnjë provë shkencore të shpërthimeve në vendet e kontrolluara”.

Sallonet e bukurisë do të mbeten të hapura.

Italia ka regjistruar 414,000 raste me koronavirus dhe 36,500 viktima./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!