Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë pune në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u takua me homologun, Lartësinë e Tij, Sheik Mohammed bin Rashid Al Maktoum. Gjatë këtij takimi, Kryeministri Rama theksoi nevojën për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, si dhe ftoi sipërmarrësit e Emirateve të Bashkuara Arabe të investojnë në Shqipëri. Me interes nga të dyja vendet shihen investimet në fushën e turizmit dhe infrastrukturës, sidomos në portet detare, bën të ditur zyra e shtypit pranë Kryeministrisë. Në takim u diskutua edhe për mundësinë e vendosjes së një linje ajrore të Emirateve të Bashkuara që të lidhë dy vendet, thekson i njëjti njoftim. Nga ana e tij, sheiku Al Maktoum falenderoi kreun e qeverisë shqiptare për vizitën, si dhe shprehu gatishmërinë për të nxitur investimet në vendin tonë. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Rama shoqërohej nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kryeministri Rama vizitë pune në Emiratet Arabe
schedule16:00 - 24 Tetor, 2017
schedule 16:00 - 24 Tetor, 2017