Luis Suarez është një legjendë e Interit. 85-vjeçari ka luajtur si futbollist dhe ka drejtuar si trajner zikaltrit. Spanjolli ofensiv ishte pjesë e ekipit që fitoi dy herë Ligën e Kampionëve në mesin e viteve ’60 nën drejtimin e legjendës Helenio Herrera.
Në një prononcim të fundit për AS, Suarez nuk i ka kursyer kritikat për Antonio Conten dhe pronarët kinezë të Interit. “Nuk më pëlqen kur trajnerët vetëm ankohen dhe kërkojnë pafund. Drejtuesit shpenzojnë miliona euro dhe trajnerët kujtojnë se u fitua titulli prej tyre.
Triumfet vijnë falë lojtarëve. Këta të fundit i zgjidhin ndeshjet, jo trajnerët me ndërrimet e tyre. Nuk shkohet para me ulërima, trajnerët gabojnë nëse mendojnë se kjo është mënyra e duhur për të rënë në sy. Conte kujton se është kapo i Interit.
@Inter 1963-64
Sarti, Facchetti, Guarneri, Tagnin, Burgnich, Picchi;
Jair, Petroni, Luis Suárez, Sandro Mazzola and Mario Corso pic.twitter.com/sUKdB6cEmY— Valencia Football Nostalgic. (@ValenciaFC_Nost) June 22, 2020
Kërkon, kërkon përsëri dhe vetëm kërkon. Ai vetëm ankohet dhe kërcënon me largim nëse nuk i plotësohen dëshirat. Suning? Në këtë Inter kinez nuk njoh asnjë, përveç punonjësve që kanë qenë atje për shumë vite.
Nuk e di nëse dikush ka harruar që jo vetëm që kam luajtur për Interin për nëntë vjet dhe kam fituar dy Kupa të Kampionëve, por kam punuar për më shumë se 15 vjet me Massimon, djalin e Angelo Morattit, i cili ishte ai që më mori në ekip.
Këta zotërinj nga Kina nuk e blejnë klubin për ta rikthyer fantastik siç ishte, por vetëm për biznes. Nuk u intereson asgjë tjetër. Ndërruan edhe emrin e qendrës stërvitore, sot quhet Suning.
Emri i Morattit mezi dallohet aty. Po flasim për njerëz që nuk kanë kulturë futbollistike, nuk e njohin fare futbollin, ata mendojnë vetëm për para, kaq“, përfundon Luis Suarez. /abcnews.al

