Serbia kërkon nga Bashkimi Europian stimuj të rinj në dialogun me Kosovën. Sipas presidentit Aleksandër Vuçiç, procesi i ndërmjetësuar nga Brukseli duhet të mbyllet me një marrëveshje që të njihet edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.
Kosova dhe Serbia presin një datë të re bisedimesh. Në Serbi, akuzat vazhdojnë në adresë të Prishtinës, por edhe shfaqja e pafund e nevojës për kompromis. Dushan Spasojeviç, nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd, beson se Bashkimi Evropian duhet të ofrojë një pako mundësish të ngjashme me zgjerimin, kur bëhej fjalë për vendet e tjera të Evropës Juglindore. Nuk pret zgjidhje të shpejtë.
Dushan Spasojeviç, docent i Shkencave Politike: “Duhet bërë një ofertë e mirë për një marrëveshje që të sjellë progres ekonomik, stabilitet institucional dhe perspektivë për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës. BE duhet të gjejë forcën brenda vetes që t’ia ofrojë një gjë të tillë rajonit”.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë një adresimi më gazetarët tha se nuk i beson Kosovës.
Aleksandar Vuçiç, president i Serbisë: “Ne jemi të kënaqur që Bashkimi Evropian ndërmjetëson, por pa Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë zgjidhja nuk është reale”.
Ajo që kërkon Beogradi për Bojan Elek, hulumtues në qendrën për politikat e sigurisë, është një dalje nga situata e komplikuar.
Bojan Elek, BCBP Beograd: “Qytetarët janë të interesuar që dialogu të vazhdojë, por sipas hulumtimeve tona 80 për qind janë kundër njohjes. Nga ana tjetër, politika serbe dëshiron një kompromis që Kosovës t’i jepet një ndjesi shtetësie, por edhe që të ruajë fytyrën dhe sovranitetin e saj”.
Presidenti serb ka theksuar se shqiptarët mund të nisen për ta marrë veriun në të ardhmen dhe zgjidhja megjithatë, siç u tha serbëve, duhet të ndodhë./abcnews.al