Kompania “Integrated Technology Waste Treatment Fier Sh.p.k” i përgjigjet akuzave të PD për punimet dhe koston e inceneratorit të Fierit. “Fillimisht dua të shpreh indinjatën time, sesi politika ndërhyn duke akuzuar shoqërinë koncesionare për një investim të tillë të teknologjisë së fundit në trajtimin e mbetjeve urbane”.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, drejtori i kantierit Enid Dine sqaroi me shifra konkrete punën e bërë deri tani duke hedhur poshtë dhe konsideruar shpifje akuzat politike. “Vlera 14 milionë euro përfshin pjesën e investimit teknologjik të inceneratorit dhe kostot e landifillit që shkojnë 4.2 mln euro, kosto e impiantit të trajtimit të ujërave 1.2 mln euro, linja e selektimit të mbetjeve 700 mijë euro, punimet mbitokësore dhe nëntokësore 2 mln euro gjithashtu investimet ne infrastrukturë rrugore, ndriçim gjelbërim dhe siguri që shkojnë 1.2 mln euro. Shtoj edhe vlerën 13.7% që përfshin kostot e fitimit të pritshëm të shoqërisë dhe menaxhimit të impiantit për periudhën e shprehur në kontratë, vlerat e përmendura më sipër janë pa TVSH”.
Dine thekson se ky investim përbëhet nga makineri komplekse të përdorimit afatgjatë nga kompanitë më në zë europiane. “Impianti që kemi ndërtuar është i teknologjisë së fundit dhe një periudhë shumë të gjatë kohore, jo thjesht një makineri për një periudhë të shkurtër kohore. Ju garantoj se përzgjedhja e teknologjisë është ajo më e fundit si në Itali dhe Gjermani, nga ku mund të përmend edhe shoqëritë që bashkëpunojmë drejtpërdrejt për këtë impiant si; Franco Tossi, Ruths, etj.
Këtu ndodhemi te kapanoni i selektimit. Fillimisht mbetjet urbane depozitohen në kapanon dhe më pas ngarkohen te linja e parë që i dërgon te impianti i hapjes së qeskave, që mbetjet urbane të jenë më të dukshme për selektimin. Selektimi do të bëhet manual dhe e modeluar, do të jetë selektimi i mbetjeve të ngurta urbane që nuk kalojnë në djegie, selektimi për qelqin, për plastikën e nevojshme për riciklim dhe mbetjeve organike që nuk shërbejnë për djegie. Dhe në fund është linja për kapjen e të gjitha metaleve. Pjesa tjetër depozitohet te gropa para furrës së djegies në kaldajë” tha ai.
Impianti i përpunimet të mbetjeve në afërsi të fshatit Verri në Fier, përfshin linjën e diferencimit të mbetjeve, inceneratorin, landfillet, linjën e trajtimit të ujërave të ndotur, punimet civile nëntokësore dhe sipërfaqësore, të gjitha të përfunduara. “Përfundimi i punimeve do të jetë në muajin dhjetor, ju mirëpres ta inaugurojmë së bashku” tha ai.
Impianti i përpunimit të mbetjeve në Fier pritet t’i japë fund problemeve të trajtimit të mbetjeve urbane për qarkun e Fierit ku më problematike është bashkia e Fierit. Kjo e fundit ka shpallur emergjencën mjedisore prej 5 vitesh pasi fusha aktuale e grumbullimit të plehrave ka dalë jashtë funksionit./ db/Abcnews.al