SHBA vazhdojnë tërheqjen e stafit diplomatik nga Kina

schedule21:49 - 7 Qershor, 2018

schedule 21:49 - 7 Qershor, 2018

Administrata amerikane ka reduktuar më tej stafin diplomatik në Kinë, nga frika e një sulmi me armë sonike, që vitin e kaluar dëmtoi shëndetin e punonjësve të ambasadës amerikane në Kubë.

Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar tërheqjen e stafit diplomatik nga Kina nga frika se janë prekur nga e njëjta sëmundje misterioze që preku stafin e ambasadës amerikane në Kubë. Punonjësit e angazhuar në qytetin Guangzhou kishin raportuar më herët se kishin dëgjuar zhurma të çuditshme.

Vitin e kaluar, 24 anëtarë të stafit diplomatik amerikan në Havana pësuan dëmtime në tru për shkak problemeve me dëgjimin. Incidentet kanë ngritur shqetësimin se një qeveri e huaj ose një agjenci inteligjence mund të ketë vënë në shënjestër stafet amerikane me një armë të re sonike.

Rastet e dëmtimit shëndetësor të funksionarëve të selive diplomatike vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë acaruar nga frika e një lufte tregtare. Më herët gjatë muajit, Departamenti i Shtetit paralajmëroi stafin diplomatik në Kinë pas raportimit të një punonjësi se kishte përjetuar një ndjesi të vagët dhe anormale dëgjimi dhe presioni.

Autoritetet në Uashington kanë deklaruar se po i trajtojnë raportimet me seriozitet, por ende nuk e kanë zbuluar shkakun e këtij problemi. Sidoqoftë, ata kanë udhëzuar stafin që të zhvendoset në një vend të sigurt nëse has të njëjtat simptoma. Një prej funksionarëve të konsullatës amerikane në Guangzhou u diagnostikua me traumë të lehtë në tru, i njëjti dëmtim që kishin pësuar punonjësit e ambasadës në Kubë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!