Kaka: Ibra bën diferencën dhe rrit Milanin! Strategjia aktuale, e duhura

schedule12:07 - 14 Tetor, 2020

schedule 12:07 - 14 Tetor, 2020

“Shikoj shumë ndeshje, por nëse luan Milani atëherë brohoras për ta. Nuk mund ta heq nga vetja lidhjen që kam me atë klub”. Janë fjalë e Ricardo Kaka, fitues i “Topit të Artë” me Milanin, një nga lojtarët që është dashur më së shumti në Milano. Nga koha kur luante ai shumë gjëra kanë ndryshuar, por braziliani është optimist për të ardhmen e kuqezinjve.

“Ata kanë një miks me lojtarë lider dhe të rinj. Kur unë shkova te Milani isha i ri dhe gjeta atje një strukturë që më ndihmonte. Është e rëndësishme të vazhdohet kështu. Më duket se drejtuesit e kanë gjetur rrugën e duhur”, shprehet Kaka fillimisht.

 

Gazidis dhe Maldini

Ai vlerëson punën e drejtuesve teknikë, si dhe thekson se përpara mund të ecet me një miks të brezave. “Puna e Maldinit dhe e Boban ishte e rëndësishme. Ne mendojmë për modelin e Gjermanisë, që fitoi titullin kampion bote në vitin 2014. Më pëlqen rinovimi i Milanit, por të mësosh nga veteranët është e rëndësishme.

Pa ata që takova në Milanello nuk do të bëhesha ai që isha. Të rinjtë nuk mjaftojnë. Le të shohim modelin e Arsenalit. Luajnë bukur, por nuk kanë fituar gjë vitet e fundit. Duhet të jemi më konkretë dhe kështu funksionon më mirë, me lojtarë me eksperiencë dhe të rinj për një të ardhme të mirë”, shton braziliani.

 

Kaka flet edhe për ndikimin e Zlatan Ibrahimovic te Milani: “Ibra rrit nivelin e çdo lojtari. Ai i motivon ata dhe ka cilësi. Kjo i ndihmon shumë të rinjtë dhe bën që grupi të rritet. Gjithashtu i mëson të tjerët të qëndrojnë në nivel të lartë dhe u heq presionin. Kampionati do të jetë i gjatë dhe i vështirë. Vë bast se ai do të bëjë diferencën deri në fund”.

Në Serie A ka shumë lojtarë me eksperiencë dhe Kaka shprehet se i pëlqen që u besohet atyre: “Futbolli italian, më shumë se të tjerët, kujdeset për kampionët. Ata nuk i mbajnë në fushë për meritë të së shkuarës, por sepse besojnë tek ata. Kjo lejon që ata ta zgjatin karrierën, me respekt. Më duket diçka e bukur kjo që ndodh në Itali.

Është një avantazh i atij sistemi, pasi ata me eksperiencë transmetojnë vlera konkrete te më të rinjtë Gjithsesi futbolli italian ka lojtarë të rinj të jashtëzakonshëm. Kemi Bastonin dhe Tonalin, thjesht dy prej emrave që do të jenë edhe në derbi. E përsëris, duhet një miks mes lojtarëve me eksperiencë dhe atyre të rinj”. /abcnews.al