Bayern Munchen vendos çmimin për sulmuesin kryesor, Robert Lewandowski-n. Klubet që duan polakun, do të duhet të paguajnë një shifër pranë rekordit botëror.
Dëshiron një tjetër objektiv të madh në karrierë.
Robert Lewandowski-t i ka ardhur në majë të hundër Bundesliga dhe karriera tek Bayerni, ndaj kërkon largimin, por klubi bavarez nuk deshi të zihej në befasi.
Nga Munchen vjen lajmi se do të duhen 200 milionë euro për të blerë kartonin e sulmuesit polak, një shifër nga më të jashtëzakonshmet, edhe në kushtet e inflacionit të madh të futbollit të sotëm, fare pranë rekordit botëror të Neymarit.
Reali i Madridit, Chelsea e Manchester United duhet t’i bëjnë mirë llogaritë nëse do të duan të marrin 29-vjeçarin, që mbush 30 tani në Gusht.
Kontrata e Leëandoëskit me Bajernin është afatgjatë dhe nuk ka klauzolë transferimi, ndaj edhe klubi mund të imponojë vullnetin e tij.
Shefi ekzekutiv, Carl-Heinze Rumenige, ka qenë gjithnjë i prerë në deklaratat e tij.
“Lewandowski ka kontratë me ne, pra do të vazhdojë të jetë në skuadër edhe në të ardhmen, – është shprehur ai, – gjithçka tjetër që thuhet është spekullim”.
Rumenige ka të drejtë që nuk dëshiron ta humbasë polakun, pasi ai ka shënuar 151 gola për bavarezët në vetëm 195 ndeshje, një rendiment që kalohet vetëm nga legjendari Gerd Muller.
Po ashtu, ai ka shënuar gjithsej 180 gola në Bundesligë, ndërsa ka luajtur 257 ndeshje, fillimisht për Borusian e Dortmundit dhe pastaj për Bajernin.
Për momentin, Lewandowski ndodhet i grumbulluar në kombëtaren e Polonisë, me të cilën do të marrë pjesë në Kupën e Botës në Rusi, dhe ku pretendon të jetë shënuesi më i mirë, pra Këpuca e Artë.
Nuk dihet nëse e ardhmja e tij do të vendoset përpara apo pas Botërorit, por nuk do të jetë aspak e lehtë që të largohet nga Bayerni./abcnews.al