Kërkesa e Meksikës: Papa të kërkojë falje për vuajtjet e shkaktuara gjatë pushtimit në 1521

schedule15:51 - 12 Tetor, 2020

schedule 15:51 - 12 Tetor, 2020

Presidenti i Meksikës Obrador i ka dërguar një letër Papa Franceskut me anë të së cilës i kërkon që Kisha Katolike, monarkia spanjolle dhe shteti meksikan t’i kërkojnë falje popujve të origjinës për vuajtjet që kanë përjetuar në periudhën e pushtimit në 1521-shin.

Letra i është dorëzuar Papës nga bashkëshortja e presidentit meksikan gjatë vizitës së saj në Vatikan. Një takim gjatë së cilit, në emër të qeverisë meksikane u kërkuan hua tre kode të çmuara të kulturave mesoamerikane – Maja, Azteka dhe Olmeka.

Me qëllim për t’i shfaqur gjatë festimeve të 2021-shit për pavarësinë e Meksikës. Duke iu drejtuar Papa Franceskut si një kre shteti, Obrador, gjeti rastin për të rinovuar propozimin, i bërë dhe në të kaluarën, që kisha katolike së bashku me monarkinë spanjolle dhe shtetin meksikan të kërkojnë falje për plaçkitjen dhe nënshtrimin gjatë periudhës së pushtimit.

Një veprim që do t’i jepte një vlerë më shumë dhe luftës së Atit Hidalgo, i konsideruar si një nga nismëtarët e luftës meksikane për pavarësi  në 16 shtator 1810.

Autoritetet meksikane kanë hequr një statujë të Kristofor Kolombos që gjendej në kryeqytet me arsyetimin zyrtar për restaurim, dy ditë para një manifestimi për rrëzimin e saj. Aktivistët planifikuan këtë protestë për të hënën e 12 tetorit, ditën e zbulimit të Amerikës.

Në Meksikë në 12 tetor festohet dita e Racës, në nder të trashëgimisë mikse indigjene dhe europiane të vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!