Drejtori i Milanit, Paulo Maldini, ka folur për Zlatan Ibrahimovic, duke thënë se kuqezinjtë janë rritur shumë që pas ardhjes së bomberit suedez, për shkak se ky i fundit është një fitues dhe ka rritur dukshëm konkurrencën në skuadër.
“Sa është rritur Milani me Ibrahimovic? Arritëm atë që donin. Organika ka moshë të re dhe sa e sigurt është në disa aspekte, po aq e trembur është në të tjera, prandaj mund të them se prania e Ibras e ka rritur konkurrencën brenda klubit.
Futbolli ka aspekte që i zhvillohen me kalimin e kohës, por të tjera, siç është konkurrenca, nuk ndryshojnë. Kjo është e vetmja mënyrë për të rritur nivelin e një ekipi dhe Zlatan është një mjeshtër në këtë fushë.
Ai nuk pranon të humbë as kur luan me letra, e i tillë kam qenë edhe unë. Bashkëshortja më tallte sepse doja të fitoja kur luaja pingpong me fëmijët. Kështu duhet të ndodhë sepse e tillë është natyra e atletit profesionist”, u shpreh Maldini./abcnews.al