Polonia dhe Holanda, këta janë dy kundërshtarët e radhës për Italinë e Roberto Mancinit. Të kaltrit do përballen sonte ndaj skuadrës së Lewandowskit në Gdansk (20:45), ndërsa tre ditë më vonë presin Holandën në “San Siro”.
Katër pikë në dy ndeshje ka grumbulluar Italia në grupin 1 të Nations League. Trajneri Mancini ka folur rreth sfidës së sotme në konferencën për shtypin, duke u ndalur te rritja e ekipit të tij dhe kundërshtarët, aty ku më i rrezikshmi është bavarezi Lewandowski.
FORMACIONI – “Kam akoma disa dilema, më duhet të vlerësoj gjendjen fizike të disa lojtarëve. Mënyra jonë e lojës është e mirëpërcaktuar, kështu që jemi të detyruar të lëmë jashtë lojtarë të caktuar. Moise Kean? Ai ndodhet në formë të mirë, të shohim çfarë do të ndodhë. Kam dyshime për Chiellinin. Nëse ndihet mirë do të jetë ai që do të markojë Lewandowskin, përndryshe do e ruajmë për sfidën ndaj Holandës. Kemi pasur gjithmonë mbrojtësit më të mirë në botë, i kemi edhe tani”.
ITALIA – “Gjithmonë kam shpresuar që skuadra të përmirësohet nga ndeshja në ndeshje dhe kështu ka ndodhur e po ndodh. Djemtë kanë merita, po tregohen tepër të aftë dhe po ia dalin të përthithin shpejt atë që u kërkoj”.
LEWANDOWSKI – “Na presin dy ndeshje të rëndësishme, por nuk e di nëse do të jenë vendimtare. Leva është një nga sulmuesit më të mirë në botë, ka vite që është ndër më të mirët. Keqardhje që nuk e kemi parë të luajë në Serie A. Robert është një lojtar kyç për Poloninë, kombëtare që ka edhe lojtarë të tjerë shumë të mirë”. /abcnews.al