Pozitat e Thomas Tuchel në stolin e PSG nuk janë solide. Trajneri gjerman shfaqi pakënaqësi rreth merkatos së klubit pak ditë më parë, deklaratë që nuk i pëlqeu aspak Leonardos, drejtorit sportiv të kampionëve të Francës dhe nënkampionëve të Evropës.
Drejtuesit presin fitimin e Champions League dhe vijimin e dominimit në futbollin francez. E ardhmja e Tuchel varet nga rezultatet. Nëse ato mungojnë, Leonardo e ka gati pasuesin. Gazetari i RMC, Daniel Riolo zbulon si i përzgjedhuri i brazilianit është Thiago Motta.
Ish-mesfushori italo-brazilian e njeh mirë ambientin, ka luajtur gjashtë vite në kryeqytetin francez dhe ka trajnuar ekipin U19. 38-vjeçari provoi edhe një eksperiencë në Serie A si trajner i Genoas sezonin e kaluar.
Emra si Allegri dhe Pochettino janë lakuar për stolin e PSG-së, por Leonardo është i dashuruar pas stilit ofensiv dhe ideve të Thiago Motta. “Dua të praktikoj një futboll sulmues gjatë gjithë kohës. Skema 4-3-3 mund të interpretohet edhe si një 2-7-2.
Sulmuesi duhet të jetë mbrojtësi i parë i ekipit tim, ndërsa portieri është sulmuesi i parë. Presing, shumë lëvizje pa top, kontroll loje dhe sulme, shumë sulme. Kështu duhet të luajë ekipi im“, u shpreh kohë më parë Thiago Motta. /abcnews.al