Kompania Twitter Inc. deklaroi se do të fshijë mesazhet që u bëjnë thirrje njerëzve të ndërhyjnë në procesin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara ose zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve, përfshirë përmes dhunës, pasi kompania gjithashtu njoftoi më shumë kufizime për të ngadalësuar përhapjen e keqinformimit.
Twitter tha në një postim në një blog se, nga java e ardhshme, përdoruesit do të marrin një njoftim të menjëhershëm duke i drejtuar ata drejt informacionit të besueshëm para se të mund të rishpërndajnë përmbajtjen që është etiketuar si false.
Kompania tha se do të shtonte më shumë paralajmërime dhe kufizime për postimet me etiketimin për informacion të pasaktë nga figurat politike amerikane, kandidatët dhe fushatat, si dhe llogaritë me bazë në Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë më shumë se 100’000 ndjekës, ose që kanë një numër të konsiderueshëm aktiviteti në llogaritë e tyre.
Kompania Twitter, e cila kohët e fundit i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ishte duke provuar se si ta bënte etiketimin e saj më të qartë dhe të drejtpërdrejtë, tha se njerëzit do të duhet të klikojnë disa paralajmërime për t’i parë këto mesazhe.
Twitter thotë se ka etiketuar mijëra postime mashtruese, megjithëse vëmendja më e madhe ka qenë në etiketimin e mesazheve nga Presidenti Donald Trump. Twitter gjithashtu tha se do të etiketojë mesazhet që pretendojnë në mënyrë të gabuar një fitore për cilindo kandidat.
Vendimi i kompanisë Twitter për të ulur nivelin e rekomandimeve të automatizuara, bie në kontrast me qasjen në kompaninë Facebook Inc., që po rrit promovimin e produkteve të saj në kategorinë e grupeve, pavarësisht shqetësimeve rreth ekstremizmit në ato hapësira.
Kompanitë e mediave sociale gjenden nën presion për të luftuar keqinformimin në lidhje me zgjedhjet. Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se republikanët po mobilizojnë mijëra vullnetarë për të vëzhguar qendrat e votimit të hershëm dhe kutitë e votave për të gjetur prova në mbështetje të ankesave të pabazuara të Presidentit Trump për një manipulim të zgjedhjeve./abcnews.al