Bashkimi Europian ka njoftuar vendosjen e masave reciproke ndaj tarifave amerikane duke filluar nga korriku. Komisionerja për Tregtinë, Cecilia Malmstrom, ka deklaruar se unioni do të kujdeset për interesat e tij në bazë të rregullave të OBT-së.
Bashkimi Europian mund të aplikojë masa paraprake për të mbrojtur industritë e tij të çelikut dhe aluminit duke nisur nga fillimi i korrikut. Deklarata është bërë të hënën nga komisionerja për Tregtinë, Cecilia Malmstrom, e cila ka nënvizuar se për një vendim përfundimtar do të duhen 9 muaj.
“Mund të marrim masa paraprake që në korrik. Kjo është në fokus të diskutimeve. Ne duam të shohim më parë rezultatet e këtyre masave”, ka thënë Malmstrom për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Në bazë të rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, BE mund të vendosë tarifa mbrojtëse të përkohshme deri në 200 ditë nëse nga kontrollet paraprake rezulton se importet e rritura kanë shkaktuar ose kërcënojnë të shkaktojnë dëme serioze ndaj industrive europiane të çelikut dhe aluminit.
Komisioni Europian, që mbikëqyr politikat tregtare ndërkombëtare për 28 vendet anëtare, kreu një studim në fund të Marsit për të verifikuar nëse tarifat e paralajmëruara amerikane për të frenuar prodhuesit kinez do të përmbytnin Europën me çelik.
Tarifat amerikane 25 dhe 10 për qind për produktet e sipërpërmendura hynë në fuqi më 23 Mars dhe që prej së premtes u janë vendosur edhe industrive europiane. Unioni ndërkohë ka hartuar edhe një listë me produktet amerikane që mund të tarifohen si xhinset, konjaku, boronica, etj.
“Çdo gjë që bëjmë ne është në përputhje me rregullat e OBT-së, ndryshe nga disa të tjerë”, ka shtuar Malmstrom, duke iu referuar amerikanëve./abcnews.al