Panuçi kalon në kundërsulm pas humbjeve: Jo fundi i botës

schedule14:25 - 4 Qershor, 2018

schedule 14:25 - 4 Qershor, 2018

Trajneri i kombëtares kalon në kundërsulm, pas kritikave që iu bënë për humbjet në miqësore. Kristian Panuçi foli për arsyet e disfatave dhe shpjegoi se përse ka ende besim tek Shqipëria.

Disfatat ishin të tilla që nuk mund të kalonin pa pasoja.

Kristian Panuçi e provoi gjithë barrën e kritikave dhe mosbesimit pas zhgënjimit të madh të tifozëve në miqësoret ndaj Kosovës e Ukrainës.

Tifozët i dolën kundër, mjaft specialistë po ashtu, ndërsa punëdhënësi i tij, presidenti Duka, i kishte bërë kritikat që më parë.

Gjithsesi, italiani jo vetëm që nuk uli kokën, por as nuk ndenji në mbrojtje.

Disa orë pas intervistës së dështuar për shkak të tifozëve, ai foli për Federatën Shqiptare të Futbollit duke kaluar në kundërsulm.

Panuçi: “Zjarri ishte vërtet i fikur. Nuk ka asgjë kaq të rëndë, kaq katastrofike siç duan ta bëjnë të duket. Bëmë dy ndeshje shumë negative, sepse skuadra kishte përfunduar benzinën dhe kishim shumë vështirësi, sepse ne nuk jemi Brazili apo Frannca. Jemi pa Bashënm, Xhakën, Memushajn, Grezdën, Sadikun, Mavraj ka 5 muaj që nuk luan, Memolla ka 5 muaj që nuk luan. Ukraina kishte të gjithë lojtarët e Shahtarit, të Dinamos së Kievit, kishte cilësi të ndryshme nga ne”.

Trajneri jo vetëm që vendosi t’i dilte për zot vetes dhe skuadrës së tij, por të shprehte edhe besimin e patundur se në shtator gjithçka do të jetë ndryshe.

Panuçi: “Në këtë moment, nëse nuk rikuperojmë të gjithë lojtarët e rëndësishëm, do ta kemi të vështirë, por jam absolutisht i bindur se kut t’i kemi ata, pikërisht ata që fituan në Turqi, ata që bënë ndeshjen me Italinë, ata që gjuajtën 15 herë në portë ndaj Spanjës, do të jemi sërish konkurrues. Kam besim sepse skuadra kur ka qenë e plotë, ka luajtur gjithnjë mirë. Këtë herë patëm shumë të rinj, por ishte e drejtë që t’i provonim, që të rrezikonim, doja të shikoja nëse ndonjëri prej tyre ishte gati për kombëtaren. Në shtator, jam i bindur se do të jemi gati”.

Panuçi foli si dikur Brigeli apo edhe De Biazi, veçse tani na mbetet të shpresojmë që kur të fillojë Liga e Kombeve, ekipi të mos ketë mungesa apo lojtarë që nuk luajnë në skuadrat e tyre. /abcnews.al