Nejmar kthehet me gol tek Brazili, shkëlqen ndaj Kroacisë

schedule12:53 - 4 Qershor, 2018

schedule 12:53 - 4 Qershor, 2018

Nejmar bëri një rikthim triumfal në fushën e lojës, më shumë se 3 muaj pas dëmtimit. Sulmuesi shënoi gol në miqësoren e Brazilit ndaj Kroacisë dhe shkon me besim drejt Botërorit.

Fillimi e gjeti jo si protagonist. Nejmar ishte duke kënduar himnin në stadiumin “Anfild”, ndërsa Brazili bëhej gati për t’u ndeshur me Kroacinë.

Ishte një miqësore, një nga shanset e fundit për të provuat veten para Botërorit, dhe ylli 26-vjeçar e dinte se trajneri Tite do t’ia jepte këtë mundësi.

Ai priti me durim për 45 minutat e pjesës së parë, pastaj bëri nxemjen në pushim, ndërsa menjëherë u bë gati për në fushë. Momenti i madh kishte ardhur, i pari që nga dëmtimi i pësuar në shkurt me Paris SG.

Sulmuesi u kthye në një ndeshje futbolli plot 98 ditë pas lëndimit, periudhë në të cilën kishte bërë rikuperim si dhe plot 60 postime për mbi 93 milionë ndjekësit e tij në rrjetet sociale.

Impakti nuk ishte i menjëhershëm, por nuk vonoi shumë që të vinte. Pasi u përshtat fillimisht me disa vrapime, driblime e pasime, superylli që pritet si ujët e paktë në Rusi i mori gjërat seriozisht.

Në minutën e 69-të shënoi një gol siç di vetë, duke bërë lëmsh një mbrojtje të tërë. Ishte si një çlirim, pas një pritjeje më shumë se 3 mujore, konfirmimi se Kupa e Botës do ta ketë protagonistin.

Po ashtu, që Brazili, me shumë gjasa, do ta ketë statustin e favoritit. Talenti i numrit 10 është i njëjti, po ashtu ambicia, thjesht do të duhet pak fat që të mos dëmtojë sërish këmbën që sapo e ka marrë veten.

Gjithsesi, forma nuk është maksimale. Vetë Nejmar, në deklaratat pas ndeshjes, pohoi se nuk është më shumë se në 80 për qind të kondicionit.

Po ashtu, ai pranoi se vazhdon të ketë frikë, një ndjenjë e natyrshme pas kaq kohësh i dëmtuar, diçka që shpreson të kalojë me kohën.

Brazili fitoi 2-0 në miqësoren ndaj Kroacisë, dhe shkon me besim drejt Rusisë, me synim që të fitojë titullin e gjashtë kampion të botës. /abcnews.al