Kina ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se do të rrëzojë të gjitha marrëveshjet tregtare nëse do të rrisë tarifat. Ndërkohë, çështja e tarifave amerikane ka qenë në qendër të bisedimeve në takimin e G7-ës.
“Çdo marrëveshje me Uashingtonin për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes tregtare nuk do të hyjë në fuqi nëse rritja e tarifave të SHBA do të vazhdojë”.
Ky është paralajmërimi i Kinës pasi delegacionet e udhëhequr nga Ministri i Tregtisë së SHBA, Ëilbur Ross dhe zyrtari i lartë i Tregtisë kineze, zëvendëskryeministri Liu He, patën një raund tjetër bisedimesh mbi angazhimin e Pekinit për të kufizuar suficitin tregtar me SHBA duke blerë më shumë mallra amerikane.
Bashkëpunimi brenda G7 ishte vënë në rrezik nga taksat amerikane që mund të dëmtojnë besimin. Këtë e thotë Kanadaja duke bërë bilancin e samitit të ministrave të financave.
“Problemet ekonomike globale kërkojnë një front të bashkuar të G7”, thekson Kanadaja, e cila kryeson G7-n.
“Ne nuk duam një luftë tregtare, topi është në fushën amerikane”.
Këtë e deklaroi ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, në fund të punimeve të G7.
“Kemi disa ditë për ta shmangur atë. Ne nuk e kuptojmë vendimin amerikan”, shton ai.
“Qëllimi ynë është tregti e drejtë dhe e barabartë”.
Këtë e theksoi sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, duke iu përgjigjur atyre që e pyetën për tarifat e vendosura nga Shtetet e Bashkuara kundër Bashkimit Evropian, Kanadasë dhe Meksikës.
“Shtetet e Bashkuara nuk po e braktisin rolin e udhëheqësit të ekonomisë botërore”, shton Mnuchin.
Ndërsa më tej nënvizoi faktin se vendet e G7-ës janë aleatët shumë të rëndësishëm.
“Dua të shmang një luftë tregtare me SHBA, por Uashingtoni duhet të dijë një gjë: evropianët nuk janë skllevër të politikës së brendshme amerikane”.
Është ky paralajmërimi i Presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.
“Presidenti Trump mban një qëndrimin shumë të diskutueshëm ndaj BE-së dhe marrëdhëniet transatlantike janë më të turbullta se sa paqësore, por është e parakohshme të thuhet se partneriteti ka mbaruar”.
Megjithatë, Juncker paralajmëroi: “Ndërsa Trump mbron interesat e tij amerikane me thonjtë e tij, ne gjithashtu mbrojmë interesat evropiane, sepse Amerika e para nuk do të thotë Evropa e fundit”.
Në të njëjtën kohë presidenti i Komisionit tha se vendet duhet të qëndrojnë të bashkuar, dhe këshilloi të vazhdojë puna për të arritur një marrëveshje lidhur me pretendimet e dy palëve./abcnews.al