Konfirmimi i tarifave amerikane kundër Bashkimit Europian, Meksikës dhe Kanadasë ka ngjallur reagime të ashpëra. Lufta tregtare më e ndezur duket se është ajo mes Brukselit dhe Uashingtonit, ku unioni ka përgatitur kundërmasat.
Konfirmimi i tarifave nga ana e Shteteve të Bashkuara për importimin e çelikut dhe aluminit nga Europa, Kanadaja dhe Meksika ka ngjallur reagimet të ashpra.
“Ky është proteksionizëm i pastër dhe i thjeshtë, kështu që Shtetet e Bashkuara nuk na lënë asnjë mundësi zgjedhje tjetër vetëm vendosjen e kundërmasave”.
Ky ishte reagimi i Presidentit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker ndaj tarifave të konfirmuara amerikane për importin e çelikut dhe aluminit. Ndërsa, komisionerja e unionit për tregtinë thotë se është bërë gjithçka e mundur për të shmangur këtë rezultat. Kryetari i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, thotë se Europa do të përgjigjet me të gjitha mjetet që disponon.
“Jam i zhgënjyer nga Presidenti Trump. Ne jemi në krah të punonjësve tanë dhe industrisë europiane, do t’i përgjigjemi me të gjitha instrumentet e disponueshme për të mbrojtur interesat tona”, ka thënë Tajani.
Ndërsa shefja e FMN-së, Christine Lagarde, thotë se tarifat do të rëndojnë mbi të dobëtit.
“Ata që janë më pak të privilegjuar janë atë që do t’i ndiejnë më shumë pasojat në rast të shkatërrimit të shkëmbimeve tregtare”, u shpreh Lagarde.
Deri më tani vendet e unionit, Kanadaja dhe Meksika ishin kërcënuar nga tarifa 25% mbi importimet në SHBA të çelikut dhe 10% të aluminit. Masat u vendosën nga administrate e Donald Trump për të ulur defiçitin tregtar të Amerikës me vendet në fjalë.
Tashmë ka pritje të mëdha për reagimin e njoftuar të Europës.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të luftojnë me abuzimet tregtare”, ka konfirmuar Wilbur Ros duke replikuar kërcënimit se BE do të kundërpërgjigjet me ashpërsi.
“Raprezalja e mundshme nuk do të ketë impakt domethënës në ekonominë tonë”, u shpreh sekretari amerikan i Tregtisë.
Ndërkohë, që prej Marsit, kur ka ardhur zgjatja e përjashtimit nga tarifat për BE-në deri në Qershor, Brukseli ka punuar për kundërmasat me të cilat do t’i përgjigjet Uashingtonit.
Sipas asaj që raportohet, unioni mendon të godasë produktet më simbolike amerikane nga xhinset e deri tek motorët Harley Davidson, cigaret dhe uiski. Tarifat e para kundër produkteve nga SHBA mund të vihen në zbatim me 20 Qershor./abcnews.al