Këtë vit çmimi Nobel i u është dhënë tre shkencëtarëve, të cilët kanë dhënë një kontribut vendimtar në luftën kundër hepatitit të transmetuar nga gjaku, një problem i madh global shëndetësor që shkakton cirrozë dhe kancer të mëlçisë, tek njerëzit në të gjithë botën.
Mediat e huaja bëjnë me dije se studiuesit Harvey J. Alter, Michael Houghton dhe Charles M. Rice bënë zbulime thelbësore që çuan në identifikimin e një virusi të ri, virusit të Hepatitit C.
Para punës së tyre, zbulimi i viruseve Hepatiti A dhe B solli përparim, por shumica e rasteve të hepatitit të transmetuara nga gjaku mbetën të pasqaruara.
Zbulimi i virusit Hepatit C gjeti shkakun e rasteve të mbetura të hepatitit kronik dhe bëri të mundshme analizat e gjakut dhe të ilaçeve të reja që kanë shpëtuar miliona jetë.
Ky virus është një shkaktar i zakonshëm i kancerit të mëlçisë dhe një arsye kryesore pse njerëzit kanë nevojë për një transplant të mëlçisë. Testet shumë të ndjeshme të gjakut kanë bërë që raste të tilla, tani të eleminohen në shumë pjesë të botës dhe gjithashtu janë zhvilluar ilaçe efektive anti-virale.
“Për herë të parë në histori, sëmundja tani mund të shërohet, duke rritur shpresat për çrrënjosjen e virusit të Hepatitit C nga bota“, tha komiteti i çmimit.
Sidoqoftë, virusi ende infekton 70 milionë njerëz në vit dhe vret rreth 400.000 të tjerë. /abcnews.al