Tre djem nga fshati Vrith i Malësisë së Madhe në Shkodër, janë zhdukur pa gjurmë që nga data 3 tetor.
Vëllai i një prej të zhdukurve ka bërë denoncim për zhdukjen e tyre, një natë më parë, fill pas publikimit të ngjarjes së rëndë nga gazetari investigative, Artan Hoxha.
Pas njoftimit se tre të rinj janë zhdukur pa lënë gjurmë në malësinë e Madhe, kanë folur për mediat prindërit e një prej të zhdukurve Klement Pepaj.
Babai i Klementit, thotë se djali i tij ka dalë të konsumojë një kafe me Vilsonin dhe nuk është kthyer më në shtëpi.
Ai tregon se në fshat janë dëgjuar krisma armësh në një zonë pyjore afër fshatit.
Ndue Pepaj thotë se:
“Klement Pepaj ka humbur vetë i tretë. Janë dëgjuar krisma me armë në drejtim të Razmës, në një zonë pyjore. Ne nuk dimë asgjë dhe nuk kemi asnjë lajm për ta. Policia ka bashkëpunuar me ne, i ka kërkuar por pa rezultat. Klementi është djali im, tjetri djali i dajës Vilson Cutaj, dhe djali i xhaxhait”.
I pyetur se për çfarë kanë shkuar atje djemtë Pepaj tha:
“Sipas të tjerëve, se unë nuk kam qenë në shtëpi. Djalin e kam lënë në shtëpi me gruan, ai ka thënë se do shkonte të pinte kafe me Vilsonin, kur jam kthyer në shtëpi nuk e kam gjetur. Djali nuk më ka njoftuar asnjëherë se ka pasur probleme”.
Ndërsa nëna e Klementit thotë se djali i saj ka dalë si çdo ditë të pi kafe pranë shtëpisë, që prej asaj kohe ajo nuk di asgjë për të.
“Po kam qenë në shtëpi, ai ka patur të veshur një bluzë me krahë të shkurtra dhe u nis për në qendër. I thashë- Kel, ku po shkon?, më tha po dal me pi një kafe dhe nuk u kthye më. Nuk dimë asgjë tjetër. Policia ka ardhur në tre të natës, dhe na ka pyetur për Kelin. Në polici zhdukjen e tij e ka denoncuar vëllai Olsi Cutaj, vëllai i Vilson Cutaj pasi ai nuk ka hapur telefonin.
Me tej, babai i Klementit u shpreh se ka frikë se Klementin e kanë implikuar në ndonjë problem dhe sipas tij, banorët e zonës janë shprehur se kjo ngjarje ka ndodhur për shkak të “drogës”.
Të tre djemtë janë të afërm me njëri –tjetrin, kanë marrë drejtim përgjatë malit dhe nuk dihet asgjë për të. Elementi ka ardhur përpara një viti, e kanë ekstraduar nga Zvicra, ka qenë në Francë në fillim. Sivjet ka punuar në një kioskë të vogël në Razmë, ai është punëtor. Kam frikë mos ma ka implikuar ndokush në ndonjë problem. Sipas versionit që i kanë dhënë disa bashkëfshatar kjo punë ka pas probleme droge. Sipas policisë Danieli është parë me armë ndërsa për Klementin dhe tjetrin nuk dihet asgjë. I lutemi shtetit që të na gjej djalin. I kërkoj ministrit të brendshëm të bëjë ç’të mundet për të gjetur djalin tim qoftë edhe kufomën e tij nëse është i vdekur”, tregojnë ata ndërsa ende nuk dihet asgjë për fatin e tre të rinjve të zhdukur pa lënë gjurmë.
N.D./abcnews.al