Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit ka bërë të ditur se kabinetet e mamografisë do të punojnë me oraret të zgjatura.
Manastirliu bën me dije se nga dita e hënë në të premte, ora 8.00-18.00 dhe të shtunën, nga ora 9.00-14.00, duke ofruar falas ekzaminimet për të gjitha gratë.
Përmes një postimi në rrjetin social facebook, ministrja shkruan se ndodhemi në kushtet e epidemisë dhe duhen respektuar me rigorozitet masat anti-COVID në fushatën për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit. Ministrja e shëndetësisë u ka bërë apel grave të kryejnë kontrollin e gjirit, pasi diagnostikimi i hershëm të shpëton jetën!
“Tetori Rozë, muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit
Edhe në kushtet e epidemisë, me masa #antiCOVID do të vijojmë fushatën e ndërgjegjësimit për kontrollin e gjirit falas, afër vendbanimit
Përgjatë gjithë muajit, në kabinetet e mamografisë, shërbimi do të ofrohet me orar të zgjatur nga dita e hënë në të premte, ora 8.00-18.00 dhe të shtunën, nga ora 9.00-14.00.
Merr pak kohë nga koha jote për të kryer kontrollin e gjirit Diagnostikimi i hershëm të shpëton jetën!”, shkruan Manastirliu.
Sipas MSH, mamagrafia falas mund të kryhet në spitalet rajonale të Gjirokastrës, Dibrës dhe Kukësit, Lezhës, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Korçë, Shkodër, Materniteti Mbreteresha Geraldine, Poliklinika Qendrore Tiranë, QSUT. Gjithashtu janë në dispozicion edhe dy mamografitë e lëvizshme të cilat do të jenë gjatë gjithë muajit në zonat rurale dhe urbane në të gjithë vendin sipas një kalendari të hartuar nga Instituti i Shëndetit Publik.
Mësohet se me një urdhër të firmosur nga ministrja Manastirliu institucionet përkatëse kanë marrë masat për organizimin e fushatës në zbatim të rregullave Anti-Covid. Për të evituar rrezikun e infektimit nga Covid-19, personeli që shërben brenda njësisë lëvizëse të mamografisë, do të jete i pajisur me mjete mbrojtëse personale Anti-Covid.
Me qëllim evitimin e grumbullimeve të personave që janë planifikuar për t’u ekzaminuar do të përcaktohen orare për paraqitjen e pacientëve të cilët duhet të jenë të pajisur me maska mbrojtëse./abcnews.al