Itali, dështon takimi për listën e ministrave/ Cottarelli drejt dorëheqjes?

schedule18:43 - 29 Maj, 2018

schedule 18:43 - 29 Maj, 2018

Takimi mes kryeministrit në detyrë dhe presidentit të Italisë për listën e ministrave ka dështuar. Sipas mediave italiane, ka gjasa që Carlo Cottarelli të dorëzojë detyrën e marrë vetëm një ditë më parë. Në këto kushte, partitë bëjnë thirrje për zgjedhje të reja.

Kryeministri në detyrë i Italisë, Carlo Cottarelli është larguar në heshtje nga selia presidenciale pas bisedimeve kokë më kokë me kreun e shtetit. Cottarelli duhej t’i dorëzonte Mattarellës listën e ministrave një ditë pas marrjes së detyrës, por takimi duket se nuk ka qenë efikas. Sipas “Corriere della Sera”, palët nuk kanë rënë dakord mbi listën dhe do të takohen sërish mëngjesin e së mërkurës. Ndërsa “La Repubblica” thotë se ka gjasa që Cottarelli të heqë dorë nga detyra që ka marrë përsipër. Në këto kushte, partitë po bëjnë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. “Të jetë për mua, le të shkojmë sa më parë në votime”, ka thënë kryetari i Lëvizjes 5 Yjet, Luigi di Maio. Për 5 Yjet, mbajtja e një procesi të ri elektoral është edhe një detyrim ndaj italianëve. Edhe Partia Demokratike e majtë është shprehur e gatshme për votime të reja në korrik. Figurat kyçe të saj, Andrea Orlando dhe Lorenzo Guerini kanë deklaruar se do ta diskutojnë këtë opsion në kryesinë e partisë para se të bëhet votëbesimi i qeverisë Cottarelli. Pro zgjedhjeve të reja, sipas raportimeve të mediave italiane, është shprehur edhe kryetari i Ligës së Veriut, Matteo Salvini. Salvini është shprehur kritik ndaj presidentit Mattarella për refuzimin e emrit të Paolo Savonës në postin e ministrit të Ekonomisë. Sipas kryetarit të radikalëve, Savona ishte personi i duhur që trembi arrogancën ekonomike të Gjermanisë dhe Francës. Por një ditë më parë, Mattarella ia preu shkurt atij: Nuk pranoj diktat! – deklaroi kreu i shtetit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!