Ministrja Haradinaj bisedë me homologun e Izraelit: Marrëdhënie diplomatike mes vendeve

schedule19:42 - 1 Tetor, 2020

schedule 19:42 - 1 Tetor, 2020

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi.

Ministrja Stublla ka zbardhur një pjesë të kësaj bisede.

Në rrjetin social “Facebook” ajo shkruan: Sot pata telefonatën e parë historike me Ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit Z. Gabriel Ashkenazi, e cila shënon një hap të rëndësishëm përpara në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit”.

Ndërsa e konsideron një telefonatë historike, Stublla më tej shton se fokus i kësaj bisede ishte vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, ndërsa thekson Kosova është e përkushtuar për të ndërtuar bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Statusi:

Sot pata telefonatën e parë historike me Ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit Z. Gabriel Ashkenazi, e cila shënon një hap të rëndësishëm përpara në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit.

Diskutuam mbi rëndësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit dhe ndikimin e madh që ka kjo marrëdhënie për të dy vendet tona, e ndërtuar mbi bazat e miqësisë së jashtëzakonshme midis popujve tanë paqedashës.

E sigurova homologun tim izraelit se Kosova është e përkushtuar me kapacitet të plotë për të ndërtuar bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat me interes të përbashkët, duke nderuar gjithashtu mikun dhe aleatin tonë të madh të përbashkët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I konfirmova Z. Ashkenazi edhe qëllimin tonë për të hapur Ambasadën tonë në Jeruzalem.

Pranova ftesën e Z. Ashkenazi për të vizituar Izraelin, dhe së bashku ramë dakord për të zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit në Jeruzalem sa më shpejt të jetë e mundur, dhe vendosëm të shkojmë përpara menjëherë me një grup të përbashkët pune për të materializuar këtë arritje./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!