Largimi i Besar Musollit, Bruno Telushit dhe Eduart Rrocës ka lënë një boshllëk të madh te Kukësi, që disa ditë më parë afroi në skuadër një brazilian, Matheus Leiria, i cili luan si fantazist.
Në mesfushë mund të luajë edhe Besir Demiri, por trajneri Skënder Gega kërkon që të ketë më shumë objektiva. Sytë janë hedhur nga Kosova dhe Kukësi e ka gjetur edhe një tjetër futbollist.
Bëhet fjalë për Ersil Ymerin, i cili spikati në pjesën e dytë të sezonit të shkuar me Llapin. “Gazeta Sheshi” raporton se klubi nga Podujeva e ka lënë të lirë vetëm për të firmosur në Shqipëri dhe se mesfushori ka një marrëveshje me Kukësin.
Ymeri më parë në Superiore ka luajtur me Kamzën, për të kaluar te Kastrioti. Me krutanët luajti rregullisht dhe verën e shkuar iu bashkua Laçit, para se të kalonte në Kosovë te Llapi në janar. /abcnews.al