Shkupi dhe Athina po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për problemin shumëvjeçar të emrit të Maqedonisë. Ministrat e Jashtëm të të dy vendeve kanë bërë të ditur se është shënuar përparim, ndërsa kanë rënë dakord për një kornizë të këtyre bisedimeve.
Asnjëra palë, megjithatë, nuk jep hollësi për propozimin e ri. Federica Mogherini e Bashkimit Evropian ka përshëndetur përparimin duke ofruar mbështetjen e BE-së për zgjidhjen e problemit.
Pas një raundi bisedimesh në Bruksel midis ministrave të Jashtëm, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, janë shtuar shpresat se çështja e emrit të Maqedonisë është më afër zgjidhjes.
Pas refuzimit nga pala greke të referencës Maqedonia e Ilindenit për vendin fqinj, Shkupi dhe Athina kanë kërkuar zgjidhje të tjera edhe me ndërmjetësimin e Matthew Nimetz të Kombeve të Bashkuara por edhe në Bruksel, ku sipas ministrit maqedonas Dimitrov është arritur pëlqimi për një kornizë rreth emrit të ri, por se bisedimet duhet të vazhdojnë mbi aspektet teknike dhe ligjore.
Kolegu i tij grek Kotzias është shprehur se tashmë pritet të bisedojnë dy kryeministrat, Tsipras dhe Zaev, për zgjidhjen përfundimtare të problemit.
Megjithatë, as Athina e as Shkupi nuk japin hollësi se cila është referenca për të cilën po bisedohet aktualisht.
Autoritetet në Shkup presin një zgjidhje para samitit të Bashkimit Evropian më 28 qershor.
Ndërkohë, Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për politikat e jashtme dhe çështjet e sigurisë, tha pas takimit në Bruksel me ministrat e BE-së dhe ministrin e Jashtëm maqedonas Dimitrov se është e inkurajuar me përparimin e arritur në bisedimet midis Shkupit dhe Athinës.
“Do të punojmë të gjithë së bashku për të mbështetur një rezultat pozitiv dhe shpresëdhënës nga këto bisedime”, tha zonja Mogherini.
Mediat e afërta me pushtetin në Shkup spekullojnë me një emër që ndërlidhet me Krushevën, si zgjidhje e mundshme e problemit më se dy dekadësh. Ndërkaq, propozimet e ndërmjetësit Nimetz janë Maqedonia e Epërme, Veriore, e Vardarit e Re ose Republika e Maqedonisë (Shkupi).
Nëse problemi mund të zgjidhet, ashtu siç shpresojnë autoritetet në Shkup, atëherë gjasat janë të mëdha për hapjen e bisedimeve të Maqedonisë me Bashkimin Evropian.
Maqedonia ka marrë statusin vend kandidat për anëtarësim në BE qysh në dhjetor të vitit 2005./VOA