“Elementë të fushatës elektorale” e ka cilësuar analisti Erl Murati premtimet e kryeministrit Rama por edhe platformës së propozuar nga Basha të deklaruara gjatë ditës së sotme në komunikimet me mediat, për sa i përket fushës ekonomike.
Gjate një bisede në studio me gazetarin Endri Xhafo në ABC News, analisti Erl Murati dhe Besart Kadia kanë komentuar situatën ekonomike aktuale në vend dhe se si do të ndikojë ajo në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 25 prillit.
“Ne jemi në fushatë elektorale, ku Basha e ka nisur me përzgjedhjen e kandidatëve. Gjuha e tij nuk është thjesht denoncuese ose ankuese, por ai përpiqet që të shpallë dhe alternativën e tij. Nga një artikulim i fortë denoncues, ka ardhur duke u zbutur dhe ofruar më shumë si alternativë.
Nga ana tjetër kemi qëndrimin e sotëm të Ramës, që është më i disfavorshëm sepse është në pozicionin e mbrojtësit. Por edhe ai ka nisur të lozë në kundërsulm. Ai loz me kartën që Basha dhe lidershipi i PD janë politikanë të provuar më parë.
Rama tha sot që pandemia la 33 mijë të papunë, ndërkohë që ne jemi të vetëdijshëm që shifra ka lëvizur nga java në javë. Instat thotë që janë 50 mijë të papunë. Duket që kemi kakofoni mes shifrave, mes asaj që jep kryeministër dhe asaj të Instat po të marrim parasysh gjithashtu edhe çfarë deklaroi sot ministrja Denaj”, u shpreh Murati.
Për ekspertin e ekonomisë Besart Kadia, situata që paraqitet në Shqipëri nuk është shumë e ndryshme nga vendet e tjera të rajonit por në dallim nga ato, në Shqipëri është keqmenaxhuar dhe për më tepër ekonomia kishte nisur të përkeqësohej që prej fillimit të vitit 2019.
“Nuk ka gjë më të rëndësishme dhe gjë më të vështirë për tu shpjeguar se sa ekonomia. Çfarë po ndodh me Shqipërinë nuk është shumë e ndryshme nga vendet e tjera të rajonit.
Pandemia dhe tërmeti vështirësuan atë çka ishte e vështirë më herët. Ne kishim filluar rënien në fillim të vitit 2019. Indikatorët gjithashtu tregonin se edhe bota po shkonte në vështirësi ekonomike. Në këto kushte ne vazhduam sikur ishim një vend konkurrues, që çfarë do që të ndodhë në botë ne nuk do të vazhdojmë të lulëzojmë. Kjo është fatkeqësia e qeverisjes shqiptare. Këto indikatorë do të përkeqësohen akoma më shumë në vazhdim”, u shpreh Kadia.
Pyetjes së gazetarit Endri Xhafo se nëse ekonomia do të jetë vendimtare në zgjedhjet e ardhshme, dy analistët ishin në një linjë, duke theksuar se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të ftohta, për më tepër do të jenë reagim i qytetarëve për situatën e vështirë në të cilën ndodhen, me pak fjalë ata e përshkruajnë një garë të fortë mes palëve, por që gjithsesi “hiletë” që po përdorin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, tregojnë se të dyja janë të frikësuara për atë që mund të ndodhë.
“Të dy kampet ndodhen në pozita të përafërta edhe pse po luajnë me hile për formulën e marrjes së mandateve dhe në Kodin Zgjedhor. Rindërtimi nuk mendoj se do të ndryshojë diçka për zgjedhjet e ardhshme. Nëse do ketë një reagim kundër qeverisë së Ramës mund të ketë rotacion, por unë besoj se do të jetë më tepër reagim i qytetarëve për situatën aktuale. Fatkeqësisht ne nuk kemi sondazhe të besueshme, besoj se do jetë një garë e fortë në çdo rast por hilet e përdorura nga palët për Kodin Zgjedhor tregon pasiguritë e tyre”, u shpreh Murati.
“Shqipëria mendoj se do të jetë e ftohtë në këto zgjedhje dhe mendoj se mund të ketë edhe ndonjë bojkot. Shumë njerëz nuk shohin fare televizion dhe fare politikë, mesazhi nuk shkon më aq kollaj si më përpara e për pasojë njerëzit as nuk e dinë për çfarë bëhet fjalë. Mendoj se do të jetë më tepër një garë individuale karizmatike”, shtoi ndër të tjera Kadia.
N.D./abcnews.al