Ish-mesfushori i Juventusit, Claudio Marchisio, ka shkruar një biografi të titullar “Historia e Juves me 50 portrete”, aty ku ka zbuluar një prapaskenë mes trajnerit Antonio Conte dhe Arturo Vidal.
“Një herë, Conte u përpoq t’ia nxirrte dufin në një nga seancat stërvitore. Përdori metoda rraskapitëse, por të dështuara.
Disa herë ka ndodhur që ndonjë aventurë e ekzagjeruar e natës e Arturo kishte arritur në veshin e trajnerit Conte.
Ai nuk është tipi që merret direkt me fajtorin, preferon ta ndëshkojë atë me stërvitje sfilitëse. Duke besuar në faktin se nata pa gjumë ia kishte venitur energjinë, Conte i tha Vidal se për atë ditë kishte vendosur ta angazhonte në stërvitje atletike.
Për këtë arsye, nuk kishte punë me topin, sepse duhej të vraponte shumë, pa mbarim. Ai donte ta testonte Vidal pas një nate pa gjumë, ta ndëshkonte në këtë mënyrë, që ta kuptonte gabimin.
Problemi është se Arturo është bërë prej hekuri dhe, pas një numri të caktuar kilometrash, kur ne mezi merrnim frymë nga lodhja, ai vazhdoi të vraponte në krye të grupit, duke biseduar sikur të ishte në lokal”, shkroi Marchisio./abcnews.al