Takime me Fidel Yllin dhe protestë masive, Liga e Futbollit zbardh planin

schedule15:35 - 29 Shtator, 2020

schedule 15:35 - 29 Shtator, 2020

Liga Profesioniste e Futbollit ka zhvilluar një takim ditën e sotme, ndërkohë që pas saj është publikuar edhe një deklaratë përmes së cilës bëhet me dije se më 10 tetor është projektuar edhe një protestë masive. Kjo ndodh pasi kryeministri Rama deklaroi se komuniteti i futbollit duhet ta harrojë presionin ndaj qeverisë.

“Anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit u mblodhën sot për të diskutuar në lidhje me çështjet organizative dhe me vijimin e bojkotit të kampionatit të Kategorisë Superiore. Gjatë diskutimeve Asambleja e Ligës u dakordësua për hapat e mëtejshëm në luftën për plotësimin e katër kërkesave të Ligës drejtuar qeverisë.

LPF do të intensifikojë kontaktet me negociatorin e qeverisë z. Fidel Ylli dhe për këtë ngarkohet Kryetari i Ligës dhe Sekretari i përgjithshëm për të ndjekur hap pas hapi ecurinë dhe reagimin e qeverisë pas dërgimit të relacionit shpjegues për kërkesat e Ligës.

LPF është e vendosur për vazhdimin e bojkotit dhe përshkallëzimin e protestave, duke projektuar protestën masive të futbollistëve më datë 10 tetor 2020. Për këtë do të ngrihet një grup pune për organizimin e saj dhe sensibilizimin e opinionit publik.

Deri më tani nuk kemi asnjë reagim nga qeveria për kërkesat e Ligës. Anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit mbeten shpresëplotë për një përgjigje sa më shpejtë nga ana e qeverisë dhe për veprime konkrete në shqyrtimin dhe plotësimin e këtyre kërkesave që mund të sjellin zgjidhjen e ngërçit të krijuar”, shkruhet në deklaratën e Ligës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!