Brazili gjunjëzohet nga greva e kamionistëve, miliarda dollarë humbje

schedule14:15 - 28 Maj, 2018

schedule 14:15 - 28 Maj, 2018

Prej gati një jave, Brazili është i paralizuar nga greva e kamionistëve e cila i ka kushtuar shtetit një dëm ekonomik prej gati 3 miliardë dollarësh. Presidenti i vendit Temer deklaroi se është i gatshëm të bëjë marrëveshje me kamionistët sidomos rreth uljes së çmimit të karburantëve.

Greva e kamionistëve që po paralizon Brazilin prej një jave ka shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 3 miliardë dollarësh sipas të dhënave të publikuara sot nga mediat braziliane.

Sipas ministrisë së Transportit në vend, rreth 40 përqind e akitiviteteve në sektor janë ende të bllokuara duke shkaktuar një humbje prej 650 milionë dollarësh. Kësaj humbjeje i shtohen edhe 500 milionë dollarë dëm në sektorin e mishit, 335 milionë dollarë në industrinë e automjeteve dhe 237 milionë dollarë në sektorin farmaceutik.

Është ende e vështirë që të llogaritet humbja për kompanitë ajrore pasi protesta e kamionistëve bëri të pamundur furnizimin me karburant në 14 aeroporte të vendit.

Presidenti brazilian, Mishel Temer, konfirmoi se ishte i gatshëm të bënte një sërë lëshimesh në listën e këkesave të kamionistëve në grevë, sidomos përsa i përket çmimit të karburantit. Kjo për të arritur një marrëveshje që do të garantonte përfundimin e bllokimit të rrugëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!