Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka deklaruar se do të nisë procesi për saktësimin dhe regjistrimin e banesave të qytetarëve. Lleshaj tha se ky proces nuk do të ndikojë në zgjedhjet e prillit, duke theksuar se listat e votimit do të lëshohen në bazë të adresës së vjetër.
Ministri bëri të ditur se në datë 5 tetor do të publikohet ekstrakti i parë i listës së zgjedhësve, duke krijuar mundësinë që zgjedhësit të verifikojnë qendrën e tyre të votimit. Ai paralajmëroi se do të nisë hetimi sa i përket lajmeve të rreme me qëllim parandalimin apo goditjen e të gjitha përpjekjeve të paligjshme për të krijuar konfuzion
“Në bazë të detyrimeve të Kodit Zgjedhor, ekstrakti i parë i listës së zgjedhësve do të publikohet pas disa ditësh, saktësisht më datën 5 tetor 2020, dhe të gjithë do kenë mundësinë të verifikojnë këtë të vërtetë të thjeshtë. Kjo është e vetmja e vërtetë për këtë trillim të turpshëm mediatik.
Por siç thashë në krye të herës, trilluesit e lajmit e kanë përdorur të gjithë teknologjinë e tyre të mashtrimit duke e paketuar gënjeshtrën me një tjetër të vërtetë. Pak a shumë sipas logjikës, tani nuk ka diell pasi këta e kanë vjedhur atë. Në fakt është e vërtetë se tani nuk duket dielli, por kjo nuk do të thotë se e ka vjedhur kush atë.
Nga verifikimet paraprake të pretendimeve të bëra publike nga disa media nën ndikim, rezulton se qytetarët e paraqitur si votues të djathtë dhe të përdorur për të ilustruar mashtrimin publik kanë thënë të pa vërteta. Por për këtë do të ketë më shumë hollësi në ditët në vijim pasi të thellohen më tej verifikimet përkatëse. Po cila është e vërteta e përdorur si mantel për mashtrimin në fjalë?Po zbatohet më në fund pas projekti për sistemin funksional të adresave në Shqipëri. Kaosi i tranzicionit në vendin tonë, krahas shumë shkatërrimesh të tjera, solli edhe zhbërjen e sistemit të adresave të qytetarëve. Për dekada të tëra qytetarët e këtij vendi janë endur nëpër Shqipëri dhe nëpër botë pa një adresë të saktë të vendbanimit, a thua se janë nomadë. Kjo gjendje amullie në vendbanim ka sjellë kosto të pallogaritshme në funksionimin e jetës shoqërore, ofrimin e shërbimeve, administrimin e vendit, sigurinë publike, zhvillimin e zgjedhjeve etj..
Tashmë të gjithë e dinë se adresat në qytetet e vendit tonë, ndryshe nga vendet normale, për shumë vite jepeshin si përshkrime udhëtimi përmes paragrafëve të tilla si: Tek “Pallati me Shigjeta” 100 metra në të djathtë të karburantit të verdhë,…..tek Bërryli, prapa Oxhakut, etj.. Njerëzit ishin pajtuar me këtë absurditet aq sa po qe se ndonjë kryebashkiak do të merrte vendimin e guximshëm për të lyer ndryshe “Pallatin me Shigjeta” mijëra qytetarë do të humbnin kësisoj adresën e tyre. E ndërgjegjshme për këtë gjendje të papranueshme, qeveria jonë në kuadër të përpjekjes për rindërtimin e shtetit, është angazhuar në hartimin dhe zbatimin e një sistemi adresash, i cili është parakusht për qeverisje efektive.
Në këtë kuadër, në vitin 2016 u bënë ndryshime të rëndësishme në Ligjin për Sistemin e Adresave dhe në vijim u morën masa për zbatimin e tij në terren.
Kur unë mora detyrën e ministrit të brendshëm, rreth 300 mijë qytetarë të Shqipërisë ishin pa asnjë lloj adrese. Zyrtarisht nomadë që në vend të adresës tek Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile kishin një të ashtuquajtur kod kolektiv, 000, 888 ose 999. Sot të gjithë këta qytetarë nuk janë më anonimë në vendin e tyre, por kanë një adresë. Dhe për këtë fakt ndihem mirë dhe jam mirënjohës për angazhimin e shumë zyrtarëve të pushtetit qendror dhe vendor që mundësuan zgjidhjen e këtij problemi të trashëguar prej dekadash. Sot nuk askush nuk mund të luajë më si të dojë me këta qindra mijëra banorë si dikur.
Në zbatim të Ligjit për Sistemin e Adresave, në vitin 2018 ka përfunduar edhe censusi përkatës në terren për këtë qëllim. Ka ndodhur që gjatë këtij censusi qytetarë të caktuar janë regjistruar në një adresë të ndryshme nga ajo që mund të kenë sot, kryesisht tek shtëpia e vjetër apo shtëpia e dytë e tyre.
Kjo sjell si pasojë që, kur ata hyjnë për të parë të dhënat personale në Regjistrin e Gjendjes Civile, të mund të konstatojnë ndonjë mospërputhje, e cila është lehtësisht e rregullueshme për cilindo. Zyrat e Gjendjes Civile janë të gatshme për të bërë rregullimet e nevojshme në bazë të ligjit dhe të dokumenteve të nevojshme për këtë qëllim. Kushdo mund të verifikojë adresën e përditësuar në Portalin e-Albania dhe në rast mospërputhjesh mund të kryejë lehtësisht saktësimet e nevojshme pranë zyrës së Gjendjes Civile. Objektivi është që në një kohë të shkurtër të përfundojë përditësimi dhe saktësimi i të gjithë adresave të qytetarëve. Duhet thënë se, në të njëjtën kohë, po merren masa për diskutimin e një pakete ligjore që do të konsolidojë përfundimisht sistemin e adresave dhe do të pamundësojë lëvizjen kaotike të qytetarëve.
Elementi kyç i këtyre ndryshimeve është kushtëzimi i të gjithë shërbimeve publike dhe jo publike me pasjen e një adrese të saktë për qytetar. Çdo qytetar do të ketë adresën e tij të standardizuar sipas ligjit dhe do të marrë shërbimet vetëm në bazë të adresës së regjistruar.
Megjithatë dëshiroj të ritheksoj me forcë: Procesi i përditësimit apo saktësimit të adresave NUK prek qendrën e votimit të qytetarëve për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Qytetarët do të vijojnë të votojnë në qendrat e tyre të mëparshme. Sa i përket lajmeve të rreme, me duhet të them se organet përgjegjëse do të thellohen në verifikimet dhe hetimet përkatëse, me qëllim që të parandalohen apo goditen ligjërisht të gjitha përpjekjet e paligjshme për të krijuar konfuzion, për të intimiduar apo për të ndikuar në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri“, tha Lleshaj./mv. abcnews.al