Morata: Pirlo i prerë për Juven, e ëndërroja rikthimin! Golat? Futbolli s’është tenis

schedule15:58 - 25 Shtator, 2020

schedule 15:58 - 25 Shtator, 2020

Alvaro Morata, numri 9 i Juventusit, sot ka dalë para mediave dhe ka folur gjerë e gjatë. Spanjollit i është plotësuar një dëshirë me këtë lëvizje të bërë. “Ëndrra ime që fëmijë ishte të luaja për Atletico Madrid dhe e realizova atë ëndërr. Por kur erdha këtu dhe klubi vuri besimin e vet tek unë edhe pse isha i ri, u lidha shumë me Juventusin dhe ëndërroja gjithmonë të kthehesha. Tani e di si të punoj, në fillim mendoja shumë për kritikat”, u shpreh sulmuesi para mediave.

Më tej ai ka shtuar: “Jam i lumtur që vesh sërish këtë fanellë. Jam rritur si njeri dhe si lojtar, në të gjitha kuptimet. Ju e dini si është tregu dhe e rëndësishme për mua është që jam këtu tani. Është vendi i duhur në kohën e duhur, sidomos tani që unë e di se çfarë gabimesh nuk duhet të bëj. Kjo është një mundësi për mua, mundësia e jetës”.

“Pirlo trajner? Ai ka një efekt shumë të mirë tek unë, e dija që do të bëhej trajner i Juventusit. Andrea është i prerë për këtë punë. Juves i duhej një lojtar elegant që e donte aq shumë topin… Kam bërë dy seanca stërvitore dhe jam shumë i impresionuar nga mënyra se si ai e menaxhon grupin. Pirlo është perfekt për këtë klub”.

“Me Ronaldo e Dybala në sulm? Unë jam gati të luaj me të gjithë, jam në shërbim të ekipit. Të gjithë më njohin dhe e dinë që do të jap gjithçka për t’i ndihmuar të shënojnë, me pasime apo me çfarëdo që kërkon trajneri. Jam këtu sepse dua të fitoj siç di të bëjë Juve, në vitet e fundit dhe në gjithë historinë”.

“Numri i golave? Do të doja të shënoja 40 gola, por kam parë shumë që i kanë realizuar dhe në fund nuk kanë fituar asgjë.  Kam shkuar në 15 gola, ndonjëherë edhe më shumë. Numrat individualë shikohen në tenis, jo në futboll. Ky është sport kolektiv”.

“Championsi? Kam kujtime të bukura nga trofetë e fituara më parë dhe do isha njeriu më i lumtur në botë nëse do arrija të fitoja Champions League me fanellën e Juventusit. Kjo është një nga skuadrat më të mëdha në botë dhe normalisht punojmë për të fituar Champions. Duhet të punojmë çdo vit, pasi çdo vit është një mundësi e re.

“Ronaldo? E njoh mirë atë si njeri, si lojtar e njohin të gjithë. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me të. Ai më ka këshilluar dhe ishte i lumtur që bashkohemi këtu”, ka përfunduar Morata deklaratën e tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!