Një ngjarje e pazakontë ka mbajtur të terrorizuar lagjen “11 nëntori në Elbasan për pesë orë me radhë e cila përfundon me ekzekutimin e të moshuarit Lefter Zhidru nga efektivët e RENEA-s gjatë një shkëmbimi zjarri pasi këta të fundit mësynë në banesën e tij
Si nisi ngjarja: Ka qenë një telefonatë e mbërritur mesditën e sotme në Policinë e Elbasanit e cila ka sinjalizuar uniformat blu se 71-vjeçari Lefter Zhidru kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij në banesën e tyre në katin e dytë të një pallati. Katër efektivë të policisë janë nisur drejt vendit të ngjarjes, ku janë hasur me të moshuarin i cili ka qëlluar me armë zjarri. Ata janë ngjitur në katin e tretë të pallatit duke shmangur përplasjen me të moshuarin.
Më pas Zhidru ka qëlluar në drejtim të dritares ku për pasojë janë plagosur lehtë dhe pa probleme për jetën dy të rinj, kalimtarë në zonë. Ata janë dërguar në spitalin e Elbasanit ku kanë marrë edhe ndihmën e nevojshme mjekësore. Pas kësaj, në ndihmë të efektivëve të policisë kanë ardhur forcat e RENA-s dhe FNSH të cilët kanë tentuar të ndërhyjnë për të bërë të mundur neutralizimin e 71-vjeçarit.
Për pesë orë, pati shpërthime, të shtëna dhe gaz lotsjellës. I moshuari nuk u bind të dalë jashtë banesës pavarësisht tentativave të grupit të negociatorëve, mes të cilëve ndodhej edhe vajza e tij 13-vjeçare nën asistimin e një psikologu . Ai kërkoi prej tyre që t’i sillnin djalin, por kjo qe e pamundur pasi ky i fundit jeton në shtetin grek. Pas ndërhyrjes së RENEA-s në banesë pati një shkëmbim zjarri e për pasojë 71-vjeçari mbeti i vdekur.
E shkuara e familjes Zhidru: Çifti kishin 5 vite që jetonin me qira në banesën ku ndodhi ngjarja e ditës së sotme. Sipas fqinjëve, ata kishin pasur debate të vazhdueshme në banesë me tonë të larta, ndërsa nënë e bijë dhunoheshin nga i moshuari. Ky i fundit raportohet se ishte agresiv edhe me fqinjët e ti, por nga burime zyrtare nuk dihet nëse ka apo jo precedent penal./mv. abcnews.al