Deportimi i shqiptares nga SHBA tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare

schedule15:30 - 24 Maj, 2018

schedule 15:30 - 24 Maj, 2018

Deportimi i shqiptares Çile Percetaj nga Shtetet e Bashkuara ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Daily Mail ka udhëtuar për në Shqipëri, ku është takuar me të. 46-vjeçarja, e ndarë nga fëmijët e saj për shkak të ligjeve të rrepta kundër emigracionit, thotë se vajza e saj do t’i shkruajë zonjës së parë Melanie.

Historia e një nëne shqiptare, të deportuar nga Shtetet e Bashkuara dhe për pasojë e ndarë nga 3 fëmijët e saj, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Daily Mail ka ardhur në Shqipëri dhe është takuar me 46-vjeçaren Çile Percetaj.

Kjo e fundit, edhe pse e martuar po me një shqiptar me dokumenta të rregullta, është dëbuar nga SHBA pas 18 vitesh, ku janë ezauruar të gjitha mundësitë e apelimit të vendimit. Ajo ka mbërritur në tokën amerikane në vitin 2000 me anë të një pasaporte italiane që ishte false. Duke folur për median britanike, shqiptarja shprehet e pikëlluar dhe kërkon të rikthehet sa më parë tek fëmijët e saj.

“Jam ende në gjendje shoku dhe nuk mund ta besoj që më kanë sjellë në vendin që e lashë ku kisha frikë të jetoja. Fëmijët e mi janë me milje larg dhe unë nuk e di nëse do t’i shoh ndonjëherë sërish. Si mundet që një vend të ndajë nënën nga fëmijët e saj? Si mundet ta bëjnë këtë? Gruaja e Presidentit Trump, Melanie ishte një emigrante në një vend të ndërtuar nga emigrantët. Përse ata ia bëjnë këtë një nëne që e dashuron atë vend dhe nuk ka bërë asgjë të gabuar? Shkova në SHBA për një jetë më të mirë”.

Në intervistë për Dialy Mail, Percetaj zbulon se vajza e saj është duke i shkruar, Zonjës së Parë, Melanie për t’i kërkuar mëshirë. Tabloidi britanik nënvizon se me urdhërin e ri të miratuar nga presidenti Trump, janë ashpërsuar masat kundër emigracionit të paligjshëm dhe janë shtuar ndjeshëm rastet e deportimeve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!