Konsiderohet si një test për UEFA-n ndeshja e mbrëmjes së sotme (21:00) në Budapest, mes Bayern Munich dhe Sevilla që do të diskutojnë mes tyre finalen e Superkupës së Europës, pasi në stadium do të jenë të pranishëm 20 mijë tifozë, një e treta e kapacitetit. Gjithsesi hungarezët shprehen se nuk është një ndeshje kaq e rëndësishme sa për të rrezikuar kaq shumë në kohë pandemie.
Çdo gjë është gati në selinë qendrore të klubit të fansave hungarezë të bavarezëve. Disa do ta ndjekin nga ekranet gjigante, të tjerë ishin aq me fat sa të gjenin një biletë për në stadiumin “Puskas Arena” në Budapest. Por jo të gjithë do të ulen në shkallët e stadiumit, për shkak të rrezikut të përhapjes së infektimeve me koronavirus.
Shumë tifozë gjermanë kanë anuluar prenotimet dhe tifozët hungarezë të Bayern shprehen se ata që do të rikthehen në Gjermani do të duhet të kryejnë periudhën e karantinës. Gjithashtu ka dhe shumë teste për të bërë para nisjes për në Hungari dhe më pas në kthim sërish.
Në stadium do të pranohen vetëm 20 mijë persona, një e treta e kapacitetit. Ata duhet të kenë maska dhe të distancohen njëri nga tjetri, por sërish nuk duken masa të mjaftueshme. Banorët në Budapest shprehen se nuk besojnë se është një ndeshje dhe aq e rëndësishme që të mos luhet pa tifozë, duke marrë parasysh situatën aktuale.
Madje ka nga ata që e gjykojnë si skenarin më të mirë për përhapjen e mëtejshme të virusit. UEFA e ka kthyer këtë ndeshje në një eksperiment, meqenëse do të jetë ndeshja e parë ndërkombëtare që nga pranvera, që do të luhet me tifozë, dhe pse në numër të kufizuar. Por meqenëse Hungaria po përballet me një valë të dytë shumë të fortë infektimesh, janë të shumtë ata që mendojnë se është shumë e rrezikshme prania e tifozëve në shkallët e stadiumit në një moment të tillë.
Në 17 qershor, në Hungari regjistrohej vetëm një rast me koronavirus, kur UEFA vendosi se do ishte Budapesti që do priste ndeshjen e Superkupës së Europës. Gjatë verës dukej ide e mirë organizimi i ndeshjeve me tifozë, por ai rast u humb.
FORMACIONET – Hans Flick dhe Julien Lopetegui, trajnerët e Bayern dhe Sevilla, kanë menduar për pjesën e fushës. Veç taktikave, janë projektuar edhe formacionet që ata do të hedhin në fushën e lojës mbrëmjen e sotme, prej orës 21:00. Bavarezët nuk është se pritet të bëjnë ndonjë ndryshim të madh.
Pavard i rikuperuar merr vendin e tij në të djathtë të mbrojtjes, kurse Kimmich zhvendoset në mesfushë. Coman pritet të luajë në të majtë të sulmit, kurse pjesa tjetër e titullarëve është ajo e zakonshmja. Nga ana tjetër Sevilla ka një përforcim, mesfushorin Ivan Rakitic që me siguri nuk e ka harruar disfatën 8-2 që pësoi Barcelona kundër Bayern Munich. /abcnews.al
BAYERN MUNICH, formacioni i mundshëm (4-2-3-1): Neuer; Pavard, Sule, Boateng, Davies; Kimmich, Goretzka; Gnabry, Muller, Coman; Lewandowski
SEVILLA, formacioni i mundshëm (4-3-3): Bono; Navas, Kounde, Carlos, Escudero; Rakitic, Gudelj, Fernando; Suso, De Jong, Ocampos